Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar me bashkëpunëtorë, zhvilloi një takim me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj. Antonella Bassani, në kuadër të Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore në Washington D.C.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili informoi znj. Bassani mbi reformat e ndërmarra në kuadër të Planit Strategjik të BQK-së, zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës dhe performancën e përgjithshme ekonomike të vendit, si dhe mbi projektet në zbatim me mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore.

Me theks të veçantë u diskutua lidhur me projektet në sektorin financiar të mbështetura nga Banka Botërore dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare, përfshirë projektin e ri të sektorit financiar, që përveç tjerash, mbështet BQK-në dhe Fondin për Sigurimin e Depozitave, me kontribut direkt në qëndrueshmërinë financiare dhe infrastrukturën e pagesave digjitale.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Botërore, me theks të veçantë në avancimet e ndjeshme në efikasitet të cilat kanë sjellë rezultate konkrete në proceset e negociimit dhe miratimit të projekteve të përbashkëta.

Nga ana e saj, Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore falënderoi Guvernatorin Ismaili për bashkëpunimin e ngushtë dhe theksoi rëndësinë e ratifikimit të marrëveshjeve të arritura, të cilat janë miratuar prej kohësh nga Bordi i Bankës Botërore.

Në fund, përfaqësuesit e BQK-së shprehën mirënjohjen për Grupin e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në seancën plenare dhe takimin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC) të Takimeve Vjetore 2025 të FMN-së dhe Bankës Botërore Guvernatori Ismaili takoi Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer