Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Milot Cakaj, takoi Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Vjetore 2025 në Washington DC.

Guvernatori Ismaili e informoi z. Kammer mbi zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe mbi performancën e sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë progresin në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse me qëllim të forcimit të qëndrueshmërisë dhe integritetit të sistemit financiar, duke përfshirë zgjerimin e qasjes në financa.

Delegacioni i BQK-së gjithashtu prezantoi ecurinë e zbatimit të aktiviteteve të BQK-së në kuadër të asistencave teknike, si në reformat në sektor, ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve teknike dhe operacionale, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së dhe të mbështetura nga FMN.

Me theks të veçantë u diskutua ecuria e reformave të ndërmarra mbi bazën e programeve të përmbyllura me sukses nga Republika e Kosovës me FMN si asistencat teknike të cilat janë në proces, duke përfshirë Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR).

Z. Kammer vlerësoi progresin e arritur nga BQK në avancimin e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, në fushat që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin financiar.

Në përmbyllje, palët ri-theksuan përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të objektivave dhe projekteve që kanë ndikim pozitiv direkt në sektorin financiar dhe në ekonominë e vendit.

Guvernatori Ismaili takon Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore, znj. Antonella Bassani Zëvendësguvernatori Cakaj zhvillon takim me Kryeshefin Ekzekutiv të Clearstream gjatë Takimeve Vjetore 2025 në Washington D.C.