Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mirëpret miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të Projektligjit Nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës.

Miratimi i kësaj Marrëveshjeje përbën një hap shumë të rëndësishëm për avancimin e reformave në sektorin financiar dhe forcimin e infrastrukturës financiare në vend.

BQK vlerëson se ky projekt do të ketë ndikim të konsiderueshëm pozitiv si për sektorin financiar në përgjithësi, ashtu edhe për kapacitetet zhvillimore dhe reformuese të vetë Bankës Qendrore. Në veçanti, projekti parashihet të mbështesë kapitalizimin e Fondit për Sigurimin e Depozitave, në funksion të forcimit të mëtejmë të rrjetit të sigurisë financiare, si dhe në kuadër të reformave për rritjen e limitit të mbulimit garantues për depozituesit.

Po ashtu, marrëveshja do të mundësojë financimin e projektit për pagesat e shpejta “instant payments”, përkatësisht zbatimin e platformës TIPS Clone, e cila përbën një zhvillim të rëndësishëm në modernizimin e sistemit kombëtar të pagesave, rritjen e efikasitetit të transaksioneve dhe afrimin e mëtejmë me standardet evropiane të pagesave.

Në të njëjtën kohë, projekti do të kontribuojë edhe në rritjen e kapitalit të fondit garantues si dhe nismave tjera financuese dhe garantuese, duke mbështetur qasjen në financa dhe duke krijuar kushte më të favorshme për kreditim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë ndaj Ministrisë së Financave për angazhimin e saj në sigurimin e këtij projekti dhe Marrëveshjes së Financimit me Bankën Botërore, ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës për ratifikimin unanim të kësaj marrëveshjeje me rëndësi strategjike, si dhe ndaj Bankës Botërore për partneritetin dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme në forcimin e stabilitetit financiar, modernizimin e sektorit financiar dhe avancimin e përfshirjes financiare në Republikën e Kosovës.

Guvernatori Ismaili takoi delegacionin e Grupit të Bankës Botërore: Diskutohet progresi dhe hapat e ardhshëm në reformat e sektorit financiar Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës merr pjesë në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Washington DC