Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në takim ekspertët e lartë të angazhuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga z. David Lukas Rozumek, me të cilët diskutoi zhvillimet kryesore në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe avancimin e mëtejmë të kornizës rregullative.

Gjatë takimit u diskutuan çështjet kryesore që lidhen me zbatimin e Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), si dhe përafrimi i vazhdueshëm i qasjes mbikëqyrëse të BQK-së me standardet ndërkombëtare dhe evropiane dhe praktikat më të mira.

Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së për të ndërtuar një sistem mbikëqyrës të fortë, transparent dhe në përputhje me kërkesat e një tregu financiar modern dhe të integruar. Ai njoftoi për progresin në realizimin e kësaj reforme të dakorduar, në pajtim me udhërrëfyesin e miratuar për zbatimin në faza të këtij procesi, sipas praktikave të vendeve të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili tha se institucioni që ai drejton do të vazhdojë me realizimin e aktiviteteve reformuese në linjë me objektivat dhe Planin Strategjik, ndërsa u shpreh falënderues ndaj FMN-së për mbështetjen e vazhdueshme në këtë projekt.

Në anën tjetër, ekspertët e FMN-së vlerësuan progresin e arritur nga BQK-ja në zhvillimin e kornizës mbikëqyrëse, përfshirë përparimet në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij progresi në funksion të forcimit të sistemit financiar.

Në fund të takimit, palët u dakorduan për vazhdimësinë e bashkëpunimit teknik, me fokus në avancimin e mëtejshëm të kornizës SREP, përmes shkëmbimit të praktikave konkrete dhe mbështetjes së vazhdueshme nga FMN-ja.

BQK-ja kishte miratuar në fund të shkurtit 2025 udhërrëfyesin për zbatimin e kësaj reforme strategjike me mbështetjen e FMN-së, ndërsa në vazhdimësi ka pasur vizita nga ekspertët e këtij misioni. Udhërrëfyesin e miratuar mund ta gjeni këtu: https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2025/03/Udherrefyesi-per-Zbatimin-e-Procesit-te-Rishikimit-Mbikeqyres_SHQ.pdf

Guvernatori Ismaili merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me rastin e 10-vjetorit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore: Bashkëpunimi institucional është thelbësor për ndërtimin e një ekosistemi financiar më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm në vend Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon punëtorinë për “Open Banking” – Bankingun e Hapur për sektorin financiar