Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar me rastin e shënimit të 10-vjetorit të themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), ku njëkohësisht mbajti fjalën hyrëse dhe ishte panelist në temën “Boshllëqet e mbetura në treg dhe roli i financimit për zhvillim në daljen nga kurthi i të ardhurave të mesme”.

Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili theksoi se ky përvjetor përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe një dëshmi konkrete të përkushtimit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe gjithëpërfshirës. Ai vlerësoi rolin kyç të FKGK-së në përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme, duke ndihmuar në tejkalimin e barrierave financiare dhe në nxitjen e zhvillimit të sektorit privat.

Guvernatori Ismaili nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet BQK-së dhe FKGK-së, si dhe institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare, ka qenë thelbësor në ndërtimin e një ekosistemi financiar më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm në vend.

Duke folur për zhvillimet në sektorin financiar, Guvernatori Ismaili theksoi se gjatë dekadës së fundit sistemi financiar i Kosovës ka shënuar rritje të qëndrueshme, duke u pozicionuar ndër sektorët më të fortë në rajon. Ai bëri të ditur se sektori bankar vazhdon të dominojë strukturën e sistemit financiar, me rreth dy të tretat e aseteve totale, ndërsa ka shënuar rritje të ndjeshme në kreditim dhe depozita, përkatësisht rritje rreth trefish krahasuar me periudhën dhjetëvjeçare.

Guvernatori Ismaili rikujtoi gjithashtu rolin e BQK-së në krijimin dhe avancimin e FKGK-së, duke theksuar se përmes kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse është mundësuar trajtimi i kredive të garantuara me peshim 0% për kërkesat e kapitalit, duke nxitur kështu kreditimin e sektorit privat. Në këtë kontekst, Guvernatori i BQK-së vlerësoi ndikimin konkret të FKGK-së në zhvillimin ekonomik të vendit, duke evidentuar kontributin në rritjen e kreditimit, që ka mbështetur bizneset dhe krijimin e vendeve të punës.

Së këndejmi, Guvernatori Ismaili theksoi se cilësia e aseteve bankare mbetet e lartë, me normën e kredive joperformuese rreth 2%, duke dëshmuar për menaxhim të kujdesshëm të rrezikut dhe mbikëqyrje efektive. Kjo së bashku me disiplinën e lartë të kredimarrësve, praktikat e kujdesshme të menaxhimit të rrezikut dhe politikat nxitëse, si peshimi i kredive të garantuara nga FKGK ka ndikuar që rritja e kreditimit të jetë cilësore dhe dyshifrore ndër vite.

Në vijim, Guvernatori Ismaili prezantoi reformat aktuale të BQK-së për forcimin e mëtejmë të sektorit financiar, të cilat përfshijnë avancimin e kornizës rregullative dhe makroprudenciale, harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe promovimin e inovacionit financiar dhe digjitalizimit.

Më pas, duke folur në panelin e moderuar nga profesori emeritus Iraj Hashi, së bashku me znj. Martha Martinez Licetti nga Banka Botërore, znj. Hille Henebry nga KfW dhe profesorin universitar Besnik Krasniqi, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e stabilitetit financiar krahas financimit zhvillimor në adresimin e boshllëqeve të mbetura në treg përmes instrumenteve të financimit për zhvillim. Ai vlerësoi se mekanizma si garancitë kreditore luajnë rol kyç në daljen nga e “kurthit të të ardhurave të mesme” dhe në mbështetjen e transformimit strukturor të ekonomisë.

Më tej, ai elaboroi instrumente alternative të financimit, që përfshijnë mobilizimin e kapitalit në mënyrë sa më produktive, si dhe iniciativat për themelimin e tregut të kapitalit, si nisma që do të plotësojnë qasjen në financa në faza të ndryshme dhe me një qasje të kujdesshme rregullatore. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e stabilitetit financiar, duke e konsideruar atë si bazë mbi të cilën duhet të ndërtohen politika të kujdesshme rregullatore, sipas praktikave ndërkombëtare.

Në përfundim, Guvernatori Ismaili përgëzoi FKGK-në për 10-vjetorin e themelimit, duke shprehur bindjen se përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional do të arrihen rezultate edhe më të mëdha në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të vendit.

Guvernatori Ismaili pret në takim zyrtar Misionin e FMN-së për asistencë teknike në avancimin e kornizës për menaxhimin e krizave dhe stabilitetin financiar Guvernatori Ismaili priti ekipin e FMN-së për procesin SREP dhe avancimin e kornizës mbikëqyrëse