Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatorët z. Dardan Fusha dhe z. Milot Cakaj, së bashku me bashkëpunëtorë, priti delegacionin e ekspertëve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga z. Gabriel Andrade me pjesëmarrjen e z. Majid Malaika, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.

Misioni i FMN-së udhëhiqet nga z. Gabriel Andrade, Drejtor i Departamentit për Pajtueshmerise dhe Menaxhimit të Rrezikut në Bankën Qendrore të Portugalisë (Banco de Portugal), si dhe nga z. Majid Malaika nga Departamenti i TI-së dhe Këshillimit Digjital në FMN. Ky mision ka për qëllim mbështetjen e BQK-së në zbatimin e një projekti të ri që fokusohet në menaxhimin e rrezikut, sigurinë kibernetike dhe përdorimin e brendshëm të inteligjencës artificiale (IA).

Guvernatori Ismaili informoi delegacionin e FMN-së mbi punën në vazhdim dhe prioritetet strategjike të BQK-së në fushat e menaxhimit të rrezikut, sigurisë kibernetike dhe përdorimit të brendshëm të inteligjencës artificiale. Ky mision realizohet si përgjigje ndaj kërkesën zyrtare të BQK-së për Asistencë Teknike (AT) nga FMN-ja, e cila u konfirmua nga FMN në qershor 2025 dhe është në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Në fillim të takimit, Guvernatori Ismaili theksoi progresin e BQK-së në zbatimin e rekomandimeve nga misionet e mëparshme të Asistencës Teknike të FMN-së, si dhe projektet e përbashkëta në vazhdim në fusha të ndryshme, përfshirë edhe misionin e fundit për menaxhimin e rrezikut të udhëhequr nga z. Andrade.

Diskutimet u përqendruan në sfidat aktuale që ndikojnë në menaxhimin e rrezikut, veçanërisht në kontekstin e rreziqeve të shtuara gjeopolitike, rreziqeve kibernetike me fokus të veçantë në rreziqet nga palët e treta, si dhe rreziqeve në zhvillim që lidhen me inteligjencën artificiale.

Gjatë kësaj faze të vizitës në ambientet e BQK-së, ekipi i misionit të FMN-së do të prezantojë gjetjet e shqyrtimit paraprak dhe do të zhvillojë diskutime të thelluara me Departamentet e Menaxhimit të Rrezikut, Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë Kibernetike të BQK-së për të përcaktuar hapat e ardhshëm. Rekomandimet që do të dalin nga ky mision do të shërbejnë si udhërrëfyes për planin e veprimit të BQK-së me qëllim forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë institucionale, kapaciteteve profesionale dhe standardeve në këto fusha kyçe, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Publikimi i statistikave për BQK-në (Pasqyra, Bilanci i Gjendjes dhe Asetet Rezervë) për muajin dhjetor 2025 Njoftim lidhur me zbatimin e Rregullores për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve – afati i fundit për aplikim deri më 1 mars 2026