Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili shpalosi para medieve dhe gazetarëve, Prezantimit Vjetor 2025, si organizim tradicional në prag të fundvitit.

Në fjalën e tij hyrëse, ai shprehu falënderimet ndaj medieve dhe gazetarëve për punën e tyre të rëndësishme në informimin e publikut për sektorin financiar dhe për avancimin e edukimit financiar, që kontribuojnë edhe në cilësinë e shërbimeve financiare në vend.

Prezantimi nisi me treguesit e zgjedhur makroekonomikë, ku u theksua se projeksionet e BQK-së janë që rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2025 pritet të jetë rreth 3.9 për qind, dhe me normë të inflacionit rreth 3.6 për qind. Në anën tjetër, remitancat deri në fund të vitit 2025 pritet të arrijnë vlerën prej 1.4 miliard euro duke shënuar rritje vjetore prej 3.8 për qind, ndërsa Investimet e Huaja Direkte pritet të arrijnë vlerën e 950 milionë eurove.

Sa i përket sektorit financiar, u ri-konfirmua se sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar, me cilësi të lartë të aseteve, dhe avancim në qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen financiare. Me masat e ndërmarra nga BQK, që njohura pozitivisht edhe nga vlerësimet ndërkombëtare për vendin në proceset integruese, është rritur dukshëm integriteti i sektorit financiar dhe rregulluar furnizimi me para i ekonomisë, është luftuar dukuria e parave të falsifikuara, është avancuar edukimi financiar, si dhe janë ndërmarrë veprime në aspekt të zbatimit të ligjshmërisë në sektorin financiar.

Progres i theksuar është shënuar në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative të BQK-së, ndërsa po vazhdojnë reformat e nisura në avancimin e mbikëqyrjes financiare në banka, sistemin e pagesave si dhe fushave tjera sipas Planit Strategjik. Vendime të rëndësishme janë ndërmarr në këto drejtime, derisa partneriteti ndërkombëtar përmes asistencave të nevojshme teknike, po mbështet fuqimisht këto reforma.Sipas Guvernatorit Ismaili, kreditimi është rritur në mënyrë të kënaqshme, duke e mbështetur ekonominë, ndërsa pritet që sektori të rrisë edhe më tej konkurrueshmësinë dhe të ofrojë sa më shumë produkte adekuate për kontekstin lokal të sektorit financiar të vendit. Legjislacioni i ri pritet të ndikojë pozitivisht në këtë drejtim, bashke me fuqizimin e sektorit financiar, dhe procesit të integrimit ekonomik dhe financiar në Bashkimin Evropian.

Treguesi i kredive jo-performuese (NPL) vazhdon të mbetet i ultë prej 2.1 për qind sipas të dhënave të muajit nëntor 2025, gjë që vazhdon të jetë më ulëta krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, krahas treguesve tjerë të shëndetit financiar, siç janë treguesit i mjaftueshmërisë së kapitalit i cili ka arritur 17.6%, treguesi i mbulimit me likuiditet mbi 216%, me një raport të lartë kredi/depozita prej 88%, që tregon për mbështetjen fortë të bankave ndaj sektorit privat, si dhe kthim të qëndrueshëm në asete dhe kapital, që ka mbështetur qasjen kapitalizuese të sektorit.

Për sa i përket performacës së sektorit financiar, numri i llogarive ka arritur në 2.8 milionë prej të cilave mbi 1.2 milion kanë qasje në shërbimet e e-bankingut. Numri i transaksioneve në POS brenda një viti është rritur me 33 për qind, ndërsa mbi 413 mijë llogari janë konvertuar në llogari me shërbime bazike, ku shumica absolute janë pa kosto të mirëmbajtjes dhe operimit.

Gjatë vitit 2025 kur ka nisur funksionimi i platformave globale të pagesave GooglePay dhe ApplePay, ka pasur një rritje të shpejtë të numrit të përdoruesve duke kaluar 66 mijë përdorues për vetëm 4 muaj nga lansimi, duke ju afruar 10 milionë euro transaksione, me një ndikim pozitiv dhe potencial të madh në transformimin digjital në tregun vendas.

Në prezantim të reformave të brendshme organizative, Guvernatori Ismaili theksoi BQK ka avancuar kornizën e saj qeverisëse, proceset e brendshme, kornizën e sigurisë kibernetike, mbështetjen e stafit përmes avancimit të kushteve dhe programeve profesionale, qëndrueshmërinë financiare, duke mundësuar njëkohësisht përmbushjen e nevojave institucionale, investimet infrastrukturore, krahas kontributit për të tretin vit radhazi përmes fitimeve të ndashme të ndashme për buxhetin shtetëror.

Në kuadër të avokimit dhe ndërkombëtarizimit të BQK-së dhe sektorit financiar, Guvernatori Ismaili tregoi se janë zhvilluar dhjetëra takime, vizita apo panele me institucionet financiare ndërkombëtare si dhe takime me përfaqësitë ndërkombëtare, që veprojnë në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, ai theksoi se përkundër që BQK-ja ka kryer të gjitha përgatitjet dhe ka përmbyllur me sukses procesin e para-aplikimit për Zonën Unike të Pagesave në Euro e njohur si SEPA te Komisioni Evropian, pengesë për aplikimin final vazhdon të mbetet mos hyrja në fuqi e tre ligjeve të rëndësishme për sektorin financiar: Ligji për Bankat, Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe plotësim/ndryshimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, të cilat aktualisht këto ligje ndodhen në shqyrtim procedural nga Gjykata Kushtetuese, në kuadër të një serë ligjesh.

Krahas kësaj, në kuadër të aspekteve të avancimit të furnizimit të ekonomisë me para dhe të kryerjes së pagesave, BQK ka nisur projekte konkrete që do të ndryshojnë mënyrën se si qytetarët dhe bizneset realizojnë transaksionet, duke përfshirë sistemin e pagesave të shpejta (Instant payments), përkatësisht TIPS Clone me Bankën e Italisë, krahas shërbimeve shtese që lidhen me bankimin e hapur, pagesat me QR, etj. , të cilat do të ndryshojnë mënyrën se si qytetarët dhe bizneset realizojnë transaksionet, duke e bërë sistemin më të shpejtë, më të sigurt dhe të integruar me standardet evropiane. Këto zhvillime mbështesin gjithashtu efikasitetin në pagesat ndërkufitare, duke ulur kostot dhe duke rritur likuiditetin për bizneset që veprojnë brenda rajonit dhe me BE-në.

Tutje, ai ka potencuar se është avancuar dhe rritur numri i publikimeve në kanalet e komunikimit të BQK-së, duke përfshirë publikime të rregullta të ngjarjeve, zhvillimeve dhe infografikave që janë të interesit për publikun.

U përmend edhe rëndësia e funksionalizimi i Platformës për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare (https://krahaso.bqk-kos.org/) në kuadër të edukimit financiar, zhvilluar për t’u përdorur nga konsumatorët për informimin dhe krahasimin e tarifave të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen nga institucionet financiare.

Gjatë prezantimit të funvitit, është bërë ndarja e çmimit të BQK-së për “Shkrimin dhe raportimin në gazetari për sektorin financiar”, çmim tradicional që ndahet me rastin e 15 nëntorit – Ditën e themelimit të Bankës Qendrore e Republikës së Kosovës dhe ai i “Ekonomistit të ri”, të cilat synojnë të nxisin raportimin financiar cilësor dhe të motivojnë angazhimin në aktivitete hulumtuese përmes shkrimeve dhe punimeve të tyre.

Në fund, BQK shfrytëzon rastin të falënderoj me mirënjohje dhe uroj në këtë fundvit të gjithë personeli për punën dhe angazhimin e palodhshëm, menaxhmentin dhe Bordin e BQK-së, ndërsa shpreh falënderimet për institucionet e Republikës së Kosovës. Një falënderim shkon për institucionet partnere, mediet e shoqërinë civile, dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kanë kontribuar në arritjen e këtyre rezultateve, si dhe vazhdojnë të mbështesin BQK-në realizimin e objektivave, detyrave dhe qëllimeve strategjike.

Publikimi i statistikave financiare për institucionet tjera financiare (jobanka) për muajin nëntor 2025 Publikimi i statistikave të Sektorit të Jashtëm për tremujorin e tretë 2025 dhe Bilancit të Pagesave për muajin tetor 2025