Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe së bashku me institucionet e tjera të angazhuara në luftën kundër parave të falsifikuara, kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të forcuar kapacitetin e vendit për të parandaluar dhe luftuar paratë e falsifikuara. Kjo nismë është pjesë e projektit të mbështetur nga programi TAIEX i BE-së.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është harmonizimi i praktikave të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përmes:

– Forcimit të kuadrit ligjor dhe institucional kundër falsifikimit;

– Themelimit të qendrave kombëtare kundër falsifikimit;

– Krijimit të një sistemi të ri të monitorimit të parave të falsifikuara; dhe

– Rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të gjithë akterëve vendor dhe ndërkombëtar.

Me mbështetjen e ekspertëve nga Banka Kombëtare e Kroacisë, të angazhuar përmes programit TAIEX, projekti u zbatua me sukses gjatë periudhës tetor 2024 – prill 2025.

Një nga qëllimet kryesore të projektit ishte zhvillimi i projektligjit për mbrojtjen dhe luftën kundër parave të falsifikuara në Republikën e Kosovës, i cili u zhvillua me pjesëmarrjen aktive të të gjitha institucioneve kryesore në sistem, i cili përshkruan rolet dhe përgjegjësitë e të gjithë sektorëve dhe institucioneve kryesore, të cilat do të procedohen më tej në përputhje me procesin legjislativ.

Struktura e propozuar parasheh themelimin e disa qendrave si:

1. Qendra Kombëtare për Paratë e Falsifikuara (NCC), pranë Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës;

2. Zyra Qendrore Kombëtare (NCO), që do të funksionojë brenda Policisë së Kosovës;

3. Qendra Kombëtare e Analizës (NAC), brenda Agjencisë Kosovare për Forenzikë;

4. Qendra Kombëtare e Analizës së Monedhave (CNAC), gjithashtu brenda Agjencisë Kosovare për Forenzikë;

5. Sistemi i Monitorimit të Parave të falsifikuara në Kosovë (KCMS), i dizajnuar për të ndihmuar në regjistrimin dhe raportimin e informatave rreth rasteve.

Projekti kontribuoi ndjeshëm në ndërtimin e kapaciteteve të autoriteteve kombëtare për të zbuluar, gjurmuar dhe parandaluar paratë e falsifikuara në mënyrë më efikase, dhe aktivitetet e mësipërme synojnë të përmirësojnë koordinimin dhe efektivitetin e reagimit të Kosovës ndaj parave të falsifikuara, duke siguruar siguri më të madhe dhe duke forcuar besimin e publikut në sistemin financiar.

Guvernatori Ismaili u prit në Paris nga Kryetari i Autoritetit Bankar Evropian (EBA), z. José Manuel Campa Mbahet takimi vjetor i Dialogut Ekonomik dhe Financiar (ECOFIN) me partnerët rajonalë