Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori z. Ahmet Ismaili, Anëtarja joekzekutive e Bordit znj. Arta Hoxha, Zëvendësguvernatorja znj. Nesrin Shileku-Shala, Drejtoresha e Mbikëqyrjes së Sigurimeve dhe Pensioneve znj. Ramize Ramadani dhe Shefi i Zyrës së Guvernatorit z. Amir Zylfiu, ka marr pjesë në Takimet Pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Washington D.C. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në takim me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit në ekonominë e Kosovës, përfshirë performancën e sektorit financiar, progresin në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave strukturore. Guvernatori i BQK-së theksoi gjithashtu përfundimin me sukses të dy prej programeve kyçe të bashkëpunimit me FMN-në: Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF), të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në përparimin e reformave fiskale dhe strukturore, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

Nga ana e tij, Zëvendësdrejtori Menaxhues z. Li vlerësoi progresin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet FMN-së dhe BQK-së në fusha me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sistemit financiar.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-i-bqk-se-ahmet-ismaili-takon-zevendesdrejtorin-menaxhues-te-fmn-se-z-bo-li/

Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, pati kënaqësinë të zhvillojë një takim me Presidentin e Grupit të Bankës Botërore, z. Ajay Banga.

Gjatë diskutimit, Guvernatori Ismaili dhe Presidenti Banga vlerësuan lartë partneritetin e shkëlqyeshëm dhe të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore, duke u përqendruar në progresin e projekteve në vijim që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike, zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje të thellë për rolin e Bankës Botërore në avancimin e reformave kyçe dhe iniciativave për ndërtimin e kapaciteteve që janë në përputhje me objektivat afatgjata të institucionit, duke rikonfirmuar përkushtimin e institucionit që e drejton për të thelluar më tej bashkëpunimin në vitet në vijim.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takohet-me-presidentin-e-bankes-boterore-z-ajay-banga-per-te-forcuar-bashkepunimin-strategjik/

Gjatë qëndrimit zyrtar të Guvernatorit Ismaili në Takimet Pranverore 2025 që u zhvilluan nga 21 deri më 26 prill, realizoi një takim të rëndësishëm me Presidenten e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), znj. Christine Lagarde.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi Presidenten Lagarde për zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe progresin e reformave strukturore në sektorin financiar, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së. Ai theksoi se këto reforma kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të sistemit financiar të vendit.

Guvernatori Ismaili e informoi znj. Lagarde mbi progresin e bërë drejt përmbylljes së procesit të para-aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke theksuar se mbështetja e BQE-së është vendimtare në arritjen e këtij qëllimi strategjik, me efekte të shumanshme për ekonominë e vendit.

Guvernatori i BQK-së gjithashtu shprehi falënderimet dhe vlerësimet më të larta për Bankën Qendrore Evropiane për bashkëpunimin dhe mbështetjen përmes mekanizmave që kanë mundësuar rritjen e kapaciteteve institucionale si dhe forcimin e stabilitetit financiar të vendit, duke përfshirë edhe vazhdimin e linjës së likuiditetit REPO.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takoi-presidenten-e-bankes-qendrore-evropiane-znj-christine-lagarde/

Gjatë takimit me z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Guvernatori Ismaili e informoi mbi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë progresin në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative me synim forcimin e qëndrueshmërisë dhe integritetit të sistemit financiar. Ai gjithashtu prezantoi zhvillimet makroekonomike dhe progresin në implementimin e reformave strukturore, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Z. Kammer vlerësoi progresin e arritur nga BQK në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, sidomos në fushat që ndihmojnë zhvillimin ekonomik dhe forcimin e funksionimit të sistemit financiar.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-drejtorin-e-departamentit-evropian-ne-fmn-z-alfred-kammer/

Guvernatori Ismaili po ashtu zhvilloi një takim të nivelit të lartë me z. Tobias Adrian, Krye Financier dhe Drejtor i Departamentit për Tregjet Monetare dhe të Kapitalit (MCM) në FMN.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili dhe z. Adrian diskutuan mbi zhvillimet aktuale ekonomike globale dhe patën një dialog konstruktiv mbi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe të vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe Departamentit MCM të FMN-së. Diskutimi nënvizoi rëndësinë e qëndrueshmërisë makro-financiare, avancimit rregullativ dhe zhvillimit të kuadrove moderne për sektorin financiar të përshtatura për nevojat në ndryshim të Kosovës.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-i-bqk-se-takohet-me-drejtorin-e-mcm-te-fmn-se-z-tobias-adrian-rikonfirmon-bashkepunimin-strategjik-ne-forcimin-e-stabilitetit-financiar/

Guvernatori Ismaili gjatë takimit me z. David Amaglobeli, Shef i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, e përditësoi me zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë, si dhe për statusin e reformave të ndërmarra nga BQK-ja në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe forcimit të sistemit financiar në vend.

Nga ana tjetër, z. Amaglobeli prezantoi pikëpamjet e FMN-së lidhur me zhvillimet globale ekonomike dhe ndikimet e mundshme që ato mund të kenë mbi ekonominë e Kosovës, derisa përgëzoi BQK për reformat e ndërmarra për sektorin financiar dhe kapacitetet institucionale.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-shefin-e-misionit-te-fmn-se-per-kosove-z-amaglobeli-ne-washington-d-c/

Në takimin me z. Yigit Yasar, Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës në FMN, u diskutuan projektet në proces me FMN-në si dhe mbështetja e mëtejshme për ngritjen e kapaciteteve institucionale të BQK-së si dhe mbikëqyrjen financiare. Guvernatori Ismaili falënderoi z. Yasar për mbështetjen e vazhdueshme që i është ofruar Kosovës në kuadër të Konstituencës së FMN-së ku vendi ynë është anëtar.

Po ashtu, në takimin me znj. Nathalie Francken, Drejtore Ekzekutive në Bankën Botërore u vlerësua lartë bashkëpunimi i deritanishëm në kuadër të projekteve të sektorit financiar, përfshirë projektin për integrimin e Kosovës në SEPA (Zona e Pagesave në Euro) dhe zhvillimin sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-drejtoret-ekzekutive-te-konstituencave-ne-fondin-monetar-nderkombetar-dhe-banke-boterore/

Delegacioni i BQK-së u prit edhe nga drejtuesit më të lartë të Institutit për Zhvillimin e Kapaciteteve (ICD) në FMN, i kryesuar nga Drejtori z. Dominique Desruelle me ekipin e tij. Diskutimet u fokusuan në mundësinë e mbështetjes së BQK-së për rishikimin dhe zhvillimin e modeleve makroekonomike të përshtatura për nevojat e sektorit real dhe financiar në Kosovë, me qëllim forcimin e analizave për politikëbërje dhe parashikim ekonomik, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë.

Guvernatori Ismaili prezantoi prioritetet e BQK-së dhe falënderoi FMN-në për mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim, derisa ekipet e FMN-së vlerësuan lart angazhimet e BQK dhe nivelin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna, derisa shprehën gatishmërinë për të ofruar asistenca të reja teknike në përputhje me kërkesat e paraqitura dhe kapacitetet ekzistuese, të diskutuara në këto takime.

Guvernatori Ismaili në takim me ekipin e Departamentit për Tregjet e Parasë dhe Kapitalit në FMN të kryesuar znj. Jennifer Elliot, Këshilltare Rajonale në Departamentin për Tregjet e Parasë dhe Kapitalit në FMN, u diskutua mbi ecurinë e rekomandimeve të dhëna nga misionet paraprake të FMN-së, përfshirë Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), Vlerësimin e Masave Mbrojtëse (Safeguard Assessment), si dhe nivelin e kënaqshëm të zbatimit të asistencave teknike të ofruara deri tani.

Në veçanti, u diskutua për vazhdimin e mbështetjes së FMN-së në fushat e mbikëqyrjes bankare, të sigurimeve dhe pensioneve, stabilitetit financiar, sigurisë kibernetike, si dhe avancimin e kornizës institucionale dhe ligjore të BQK-së. Theksi u vendos tek mbështetja për zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës (SREP), rishikimin e Kodit të Transparencës për BQK-në, zhvillimin e mëtejshëm të modeleve në fushës së makromodelimit, si dhe avancimin e mbikëqyrjes së TI-së dhe menaxhimit të rreziqeve kibernetike në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

🔗 https://bqk-kos.org/news/delegacioni-i-bqk-se-zhvillon-takime-te-rendesishme-ne-seline-e-fmn-se-me-departamentin-per-tregjet-e-parase-dhe-kapitalit-mcm-dhe-institutin-e-fmn-se-per-zhvillim-te-kapaciteteve-icd/

Guvernatori Ismaili, mori pjesë në takimin e organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me Guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, i cili adresoi Perspektivën Ekonomike për Evropën (EUR REO), duke prezantuar zhvillimet aktuale dhe pritjet për treguesit kryesorë ekonomikë dhe financiarë në kontekstin e dinamikave gjeopolitike dhe ekonomike globale.

Në vijim, Guvernatori Ismaili mori pjesë edhe në takimin me Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e bankave qendrore nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë, ku u diskutua mbi propozimin për themelimin e Qendrës së FMN-së për Asistencë Teknike në Evropën Juglindore (SEETAC).

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-merr-pjese-ne-takimet-per-perspektiven-ekonomike-te-evropes-dhe-per-takimin-per-themelimin-e-qendres-se-fmn-se-per-asistence-teknike-ne-evropen-juglindore/

Guvernatori i BQK-së përfaqësoi Republikën e Kosovës në takimin plenar të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC), së bashku me Guvernatorët nga 191 shtetet anëtare të FMN-së, që u mbajt në kuadër të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

IMFC është përgjegjës për këshillimin dhe raportimin ndaj Bordit të Guvernatorëve të FMN-së, ndërsa ai menaxhon dhe formëson sistemin monetar dhe financiar ndërkombëtar.

Guvernatori Ismaili në takim me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj. Antonella Bassani, e informoi mbi zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës, reformat e ndërmarra në kuadër të Planit Strategjik të BQK-së, si dhe mbi projektet në zbatim me mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore. Ai theksoi përparimin e bërë nga BQK-ja në procesin e para-aplikimit pranë Komisionit Evropian për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke vlerësuar mbështetjen vendimtare të Bankës Botërore në këtë proces me ndikim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në takim u diskutua gjithashtu projekti më i fundit për sektorin financiar, që përfshin: zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta në bashkëpunim me Bankën e Italisë, kapitalizimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave, si dhe forcimin e kontributit ndaj Fondit për Garanci Kreditore. Palët e vlerësuan këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të stabilitetit financiar, përmirësimit të qasjes në financa dhe nxitjes së përfshirjes financiare.

Paraprakisht, Guvernatori Ismaili mori pjesë në takimin e Konstituencës së Bankës Botërore, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Financave të Belgjikës, z. Jan Jambon. Ky i fundit vlerësoi lart progresin e Republikës së Kosovës, e cila, krahas statusit si vend huazues, ka kaluar edhe në statusin e kontribuuesit në fondet e IDA-së (Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar). Guvernatori Ismaili paraqiti pikëpamjet e tij për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve dhe për prioritetet e përbashkëta, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për partneritet dhe bashkëpunim në realizimin e tyre.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-zevendespresidenten-e-bankes-boterore-znj-antonella-bassani/

Guvernatori Ismaili mori pjesë si panelist në Forumin Ekzekutiv të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe Thesari i Bankës Botërore. Paneli u moderua nga z. Jorge Familiar, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Thesarit  të Bankës Botërore.

Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili theksoi rrugëtimin transformues të Kosovës nga një përfituese e ndihmës së IDA-s në donator, duke nënvizuar rolin kyç të institucioneve të qëndrueshme, menaxhimit të përgjegjshëm financiar dhe partneriteteve strategjike ndërkombëtare në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit global të Kosovës.

Guvernatori Ismaili prezantoi arritjet kryesore të Kosovës në forcimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e tregjeve, përfshirë sigurimin e vlerësimit të parë sovran kreditor për vendin, futjen e instrumenteve të menaxhimit të likuiditetit dhe operacionet REPO, si dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave të Kosovës. Ai gjithashtu foli për progresin e BQK-së në përafrimin e sektorit financiar të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, forcimin e besimit të investitorëve dhe thellimin e integrimit financiar rajonal dhe ndërkombëtar.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-merr-pjese-si-panelist-ne-forumin-ekzekutiv-te-thesarit-te-bankes-boterore/

Në kuadër të qëndrimit në Washington D.C., Guvernatori Ismaili mori pjesë në tryezën e nivelit të lartë me temën “Payment Systems in the Western Balkans: Progress Report and Future Developments”, organizuar nga Banka Botërore.

Në adresimin e tij, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e implementimit të një sistemi të përbashkët rajonal për pagesa të menjëhershme, duke nënvizuar se digjitalizimi është një proces transformues i pashmangshëm, ndaj institucionet duhet të sigurojnë që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë maksimalisht nga këto zhvillime. Ai potencoi se Kosova, me popullatën e re, nivelin e lartë të përdorimit të internetit dhe pajisjeve të mençura, si dhe kërkesën gjithnjë në rritje për shërbime të shpejta digjitale, paraqet një potencial të madh për zhvillimin e sistemeve të pagesave në kohë reale. Po ashtu, theksoi se zvogëlimi i përdorimit të parasë së gatshme kontribuon në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe përfshirjes financiare.

Në përmbyllje të diskutimeve, u riafirmua rëndësia strategjike e zhvillimit të pagesave digjitale si një bazë për avancimin e përfshirjes financiare, integrimit ekonomik dhe modernizimit të tregjeve financiare në Ballkanin Perëndimor. U theksua se ndërtimi i një infrastrukture të përbashkët financiare do të përshpejtojë lidhjen me tregun evropian të pagesave dhe do të krijojë një bazë solide për inovacione të mëtejshme.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-merr-pjese-ne-tryezen-per-sistemet-e-pagesave-ne-ballkanin-perendimor-ne-kuader-te-takimeve-pranverore-te-fondit-monetar-nderkombetar-dhe-bankes-boterore-ne-washington-d-c/

Guvernatori i BQK-së i shoqëruar nga delegacioni i BQK-së, zhvilloi një takim me znj. Ines Rocha, Drejtore Rajonale për Evropë në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili informoi znj. Rocha dhe Drejtorin e sapoemëruar Rajonal, z. Marcello Castellanos, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe reformat e ndërmarra nga BQK në fusha kyçe, si: modernizimi i sistemit të pagesave, digjitalizimi i shërbimeve financiare, avancimi i kornizës ligjore, rritja e përfshirjes financiare dhe promovimi i edukimit financiar – në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Në qendër të diskutimit ishin gjithashtu edhe zhvillimet në lidhje me rreziqet klimatike dhe mjedisore, me theks të veçantë në avancimin e kornizës ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për t’i adresuar ato në sektorin financiar.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-takon-drejtoren-rajonale-per-evrope-ne-korporaten-financiare-nderkombetare-znj-ines-rocha/

Në kuadër të Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në një diskutim të nivelit të lartë të organizuar nën udhëheqjen e Kryetarit të Vienna Initiative njëherësh Guvernatori i Bankës Qendrore të Kroacisë, z. Boris Vujčić. Takimi, pjesë e Komitetit Drejtues të Iniciativës së Vjenës 2.0, bashkoi guvernatorët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë për të trajtuar sfidat dhe gjetur zgjidhje të përbashkëta për përparimin e integrimit në SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro) në rajon.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili, së bashku me delegacionin zhvilloi një takim me z. Christian Rossler, Zëvendëspresident për Banking, Huazim dhe Financim në institucionin Clearstream, pjesë e Grupit të Bursës Gjermane me seli në Luksemburg.

Gjatë takimit u diskutua mundësia e krijimit të bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Clearstream në fushën e menaxhimit të rezervave ndërkombëtare, përfshirë ofrimin e shërbimeve të ruajtjes (Custody), si dhe qasjen në produkte dhe shërbime të avancuara të tregjeve financiare, si huadhënia dhe huamarrja përmes letrave me vlerë.

🔗 https://bqk-kos.org/news/guvernatori-ismaili-zhvillon-takim-me-zevendespresidentin-e-clearstream-gjate-takimeve-pranverore-te-fondit-monetar-nderkombetar-dhe-bankes-boterore/

Takimet Pranverore të FMN-së dhe BB-së mbledhin së bashku bankierë qendrorë, ministra të Financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar çështje me rëndësi globale, si perspektivat ekonomike, lufta kundër varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.

Guvernatori Ismaili takohet me Presidentin e Bankës Botërore, z. Ajay Banga për të forcuar bashkëpunimin strategjik Publikimi i statistikave të Bilancit të Pagesave për muajin shkurt 2025