Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në funksion të angazhimeve të saj për forcimin e stabilitetit financiar dhe në përputhje me Planin Strategjik, ka hyrë në një bashkëpunim bilateral me Bankën e Sllovenisë, në kuadër të Fazës II të Programit të Forcimit të Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor me synim të integrimit në sistemin evropian të bankave qendrore.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, më 6–8 maj 2025 u realizua vizita e parë studimore në Bankën e Sllovenisë nga zyrtarë të lartë të BQK-së, me fokus në rishikimin dhe avancimin e kornizës makroprudenciale. Qëllimi i vizitës ishte vlerësimi i efektivitetit të instrumenteve ekzistuese makroprudenciale të BQK-së dhe shkëmbimi i përvojave me homologët sllovenë në fushën e zbatimit të kornizës dhe instrumenteve moderne makroprudenciale.

Ky bashkëpunim do të vazhdojë me një mision të ekspertëve nga Banka e Sllovenisë dhe me një vizitë përmbyllëse studimore nga BQK-ja, që do të realizohen në muajt në vijim. Përmes këtij procesi, BQK synon të përafrohet me praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian dhe të kontribuojë më tej në zhvillimin e politikave të qëndrueshme për një sistem financiar stabil në vend.

Faza II e Programit është lansuar në shtator 2022 dhe pritet të përmbyllet në shtator 2025, ndërsa po përgatitet faza e ardhshme e tij. Programi financohet nga Bashkimi Evropian dhe përfshin Bankën Qendrore Evropiane, 20 banka qendrore të vendeve anëtare të BE-së, si dhe 8 banka qendrore dhe autoritete mbikëqyrëse nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Administrimi dhe koordinimi i programit bëhet nga Deutsche Bundesbank.

BQK shpreh falënderimin dhe konsideratën e lartë për Deutsche Bundesbank dhe Bankën e Sllovenisë për organizimin dhe mbështetjen, si dhe për Bashkimin Evropian për financimin e programit.

Ekipi i Auditimit të Brendshëm i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës zhvillon vizitë zyrtare në Bankën e Shqipërisë Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili në takim me Presidentin e Deutsche Bundesbank, Dr. Joachim Nagel