FMN-Logo-1024x774

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përmbyllur Misionin e Artikullit IV në Kosovë për vitin 2021, me të cilin rast ka prezantuar një deklaratë përmbyllëse.

FMN-ja ka vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar. Kjo shprehet nëpërmjet  niveleve të larta të kapitalit dhe të likuiditetit, në njërën anë si dhe kredive joperformuese në nivele të ulëta, në anën tjetër, të cilat janë pjesërisht si rezultat i  masave të ndërmarra nga BQK-ja lidhur me pandeminë.

Në deklaratën përmbyllëse të Misionit Vlerësues  për Artikullin IV, FMN-ja konstaton se vendimet e BQK-së për ristrukturimin e kredive kanë mundësuar rritjen e kreditimit, të cilat do të kenë rritje vjetore prej mbi 10% gjatë vitit 2021.

Më tutje deklarata përmbyllëse e FMN-së përcakton edhe prioritetet e politikës financiare siç janë: ruajtja e pavarësisë së Bankës Qendrore, kompletimi sa më i shpejtë i Bordit të Bankës Qendrore, rritja e mëtutjeshme e Fondit Emergjent të Likuiditetit, i cili mund të bëhet nga ndarja e re e SDR-ve (special drawing rights), si dhe vazhdimi i monitorimit të rrezikut kreditor, sidomos në zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së për të analizuar rrezikun e bankave në kontekst të aplikimit të Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar 9.

https://www.imf.org/en/News/Articles/2021/11/05/pr21321-kosovo-imf-staff-completes-2021-article-iv-mission

bqkmars-1024x683-1

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në lidhje me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të likuidimit të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.

Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka pasur parasysh përcaktimet ligjore të nenit 76 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, që përcakton imunitetin e Bankës Qendrore ndaj caktimit të masës së përkohshme gjyqësore. Prandaj,  procesi i likuidimit të K.S “Kosova e Re” vazhdon në përputhje me vendimin e BQK-së për revokimin e licencës sipas përcaktimeve të dispozitave ligjore në fuqi.

06.05.2022.jpg

Ju njoftojmë se alarmi i ndezur në orët e hershme të mëngjesit, ka ndodhur shkaku i një problemi të vogël teknik.

Ndërkohë, policia sipas vlerësimeve të tyre ka kërkuar prani më të madhe të forcave të sigurisë, të cilat pas identifikimit të këtij problemi teknik janë larguar, pasi që është vlerësuar se nuk ka asnjë rrezik për sigurinë e institucionit.

Me këtë rast, duam të ju informojmë se problemi teknik nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e punëve të BQK-së.

v

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për lehtësim të qarkullimit të parave të gatshme në ekonomi,

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë fillimvit ka rishikuar tarifat që i aplikon ndaj bankave për transaksionet e ndërsjella monetare. 

Rrjedhimisht, është zvogëluar tarifa për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro në BQK nga 5,00% në 3,75%.  Ky ndryshim do të jetë efektiv nga data 1 mars 2022. 

Vendimi për zvogëlimin e tarifës për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro është

marrë në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv të BQK-së. 

BQK-ja pret që tarifa e ndryshuar të ndikojë në ngritjen e qasjes si të qytetarëve ashtu edhe të bizneseve në shërbimet e bankave vendore me para të gatshme. 

Përndryshe, kostoja aktuale për BQK-në për realizimin e operacioneve të lidhura me aktivitetin bankar të depozitimit të monedhave metalike vazhdon të mbetet e konsiderueshme. 

Sa i përket furnizimit me monedha metalike të denominuara në euro, që nga viti 2015, tarifa e aplikueshme për bankat vendore për tërheqje është 0,00% (falas).

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 28 shkurt 2022, mori vendimin si në vijim:

Vendim për emërimin e dy (2) anëtarëve të Komitetit të Auditimit nga radhët e anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.

Banka Qendrore ka realizuar studimin në vijim, me mbështetjen e Bankës Botërore në kuadër të Programit për Remitancat dhe Pagesat të financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO Remittances and Payments Program – RPP).

Ky studim është kryer sipas metodologjisë së hartuar nga Grupi i Bankës Botërore për Zhvillimin e Sistemeve të Pagesave – PSDG (Udhëzimi Praktik për Matjen e Kostove të Pagesave me Vlerë të Vogël), i realizuar edhe në vende tjera nga Grupi i Pagesave në kuadër të Bankës Botërore, i cili është vlerësuar efektivë në përpjekjet për zvogëlimin e përdorimit të parasë fizike dhe identifikimit të mundësive për reduktimin e kostove që mbart përdorimi i instrumenteve të pagesave në ekonomi.

Studimi është bazuar në të dhënat e anketave përmes pyetësorëve të administruar tek një mostër e përgatitur e ekonomive familjare dhe bizneseve, për pjesën e kërkesës, si dhe te Banka Qendrore, bankat komerciale dhe IFJB-të të cilat operojnë në Kosovë, për pjesën e ofertës. Ky studim paraqet një vlerësim të kostove financiare dhe atyre jo-financiare (kosto e kohës së shpenzuar për kryerjen e pagesave e konvertuar në terma financiar sipas metodologjisë në fjalë) të instrumenteve të ndryshme të pagesave, i cili mund të përdoret për një orientim më të mirë të aktiviteteve zhvillimore në fushën e pagesave drejtë ndryshimeve me ndikim më të lartë në rritjen e efikasitetit të shërbimeve të pagesave.

Rritja e efikasitetit që vjen nga zhvendosja drejt instrumenteve të pagesave të vogla me kosto më të ulët dhe një përdorim më e¬fikas i këtyre instrumenteve, mund të ofrojnë përf¬time të konsiderueshme për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, përmes zvogëlimit të kostove të transaksioneve për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve. Ulja e kostove të pagesave të vogla mund të përcillet edhe me zgjerimin e qasjes në pagesat elektronike te ekonomitë familjare me të ardhura më të ulëta dhe bizneset mikro dhe të vogla, duke përmirësuar kështu ef¬ikasitetin e sistemit kombëtar të pagesave, përderisa zgjerohet qasja në instrumente më bashkëkohore të pagesave.

Përtej identifikimit të kostove të larta që bart përdorimi i parasë së gatshme për ekonomin e vendit si tërësi, përfshirë këtu kostot për përdoruesit dhe për ofruesit e shërbimeve të pagesave, (rreth 2.7% e PBB-së), studimi synon të paraqes edhe kategoritë e kostove kryesore për secilin nga akterët ekonomik dhe mundësitë e kursimit përmes zëvendësimit të pagesave me para të gatshme dhe formave tjera të pagesave në formë fizike (kredit transferet në letër) me pagesat elektronike (kartelat, kredit transferet elektronike).

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, si dhe Genc Hamzaj nga Agjencia e Regjistrimit Civil, kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për implementimin e projektit për vendosjen e ngjitësve (stikersave) në xhamat e automjeteve, projekt ky i mbështetur në tërësi nga BKS-ja.

Drejtori i BKS-së Sami Mazreku, ka falënderuar Guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmetin, Zëvendësministrin Durmishi dhe ARC-në, për angazhimin që kanë pasur ditëve të fundit për implementimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm, i cili për qëllim ka uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara në vend.

Fillimi i zbatimit të këtij projekti do të nisë të martën përmes një ceremonie me fillim nga ora 13:00 në zyrat e ARC-së, ku do të vendoset ngjitësi (stikersi) i parë në prani të mediave.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 25 mars 2022, mori vendimet si në vijim:

  • Vendim për emërimin e znj. Edona Perjuci Uka anëtare (eksperte e jashtme) e Komitetit të Auditimit të Bankës Qendrore;
  • Vendim për miratimin e Planit Vjetor të Auditimit të Brendshëm për vitin 2022;

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me:

  • Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv;
  • Raportin përmbledhës nga takimi i Komitetit të Auditimit;
  • Raporti Vjetor i Auditimit të Brendshëm për vitin 2021;
  • Informatën e Guvernatorit mbi gjendjen aktuale të sektorit financiar.
v

Sektori i sigurimeve në Kosovë, që nga fillimi i aktivitetit të tij, është ballafaquar me probleme, performancë jo të kënaqshme, si dhe mospajtueshmëri me kërkesat rregullatore të parapara me legjislacionin në fuqi te disa sigurues.

Përpos tjerash, një gjendje e tillë është ndikuar edhe nga disa faktorë si aplikimi i tatimit në bruto primin e shkruar apo tatimin në qarkullim prej 5 përqind, detyrimin e sektorit të sigurimeve për kontribut ndaj Kryqit të Kuq me 1 përqind të bruto primeve, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Derisa çështja e tatimit në qarkullim dhe kontributit për Kryqin e Kuq janë adresuar, automjetet e pasiguruara vazhdojnë të mbesin shqetësim për sektorin e sigurimeve.

Duke marrë parasysh ngecjen e këtij sektori, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka ndërmarrë një varg masash dhe reformash me qëllim që sektori i sigurimeve të sigurojë pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi.

Për këtë qëllim, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka marrë me dhjetëra masa administrative kundrejt siguruesve, përfshirë edhe revokimin e dy licencave. Si rezultat i këtyre masave të ndërmarra, gjatë tri viteve të fundit aksionarët e disa prej siguruesve kanë injektuar kapital në vlerë mbi 16 milionë euro.

Si rrjedhojë, ju informojmë se me 31 mars 2022, të gjithë siguruesit që ushtrojnë aktivitetin e sigurimeve në vend, janë në përputhje me kërkesat ligjore të BQK-së.

Duke marrë parasysh faktin që sektori i sigurimeve në Kosovë është tërësisht i kapitalizuar dhe në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, BQK-ja në bashkëpunim me Bankën Botërore janë duke ndërmarrë veprimet përfundimtare për të liberalizuar tregun e produktit të autopërgjegjësisë. Që nga data 4 prill 2022, në BQK janë duke qëndruar ekspertët e Bankës Botërore me të cilët do të dizajnohet modeli i ri i primit të bazuar në rrezik dhe udhërrëfyesi për solvencën 2.

25.04.2022.jpg

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori, Fehmi Mehmeti, do të marrë pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që po mbahen në Uashington të SHBA-ve.

Këto takime do të mbahen nga data 18 deri më 24 prill.

Në takimet që do të mbahen me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, delegacioni i lartë i BQK-së do të diskutoj ë rreth zhvillimeve të fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, si dhe pritjet për vitin 2022.

Në takimet që do të zhvillohen ditëve në vijim do të diskutohet edhe për zbatimin e rekomandimeve nga raportet e mëparshme të asistencave teknike, si dhe shprehjet e interesit për përkrahje në të ardhmen.

Gjithashtu, do të diskutohet edhe rreth perspektivës dhe sfidave për Evropën.

Takimet vjetore të organizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të zhvillimit ekonomik, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës.

Skip to content