v

Sektori i sigurimeve në Kosovë, që nga fillimi i aktivitetit të tij, është ballafaquar me probleme, performancë jo të kënaqshme, si dhe mospajtueshmëri me kërkesat rregullatore të parapara me legjislacionin në fuqi te disa sigurues.

Përpos tjerash, një gjendje e tillë është ndikuar edhe nga disa faktorë si aplikimi i tatimit në bruto primin e shkruar apo tatimin në qarkullim prej 5 përqind, detyrimin e sektorit të sigurimeve për kontribut ndaj Kryqit të Kuq me 1 përqind të bruto primeve, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Derisa çështja e tatimit në qarkullim dhe kontributit për Kryqin e Kuq janë adresuar, automjetet e pasiguruara vazhdojnë të mbesin shqetësim për sektorin e sigurimeve.

Duke marrë parasysh ngecjen e këtij sektori, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka ndërmarrë një varg masash dhe reformash me qëllim që sektori i sigurimeve të sigurojë pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi.

Për këtë qëllim, gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka marrë me dhjetëra masa administrative kundrejt siguruesve, përfshirë edhe revokimin e dy licencave. Si rezultat i këtyre masave të ndërmarra, gjatë tri viteve të fundit aksionarët e disa prej siguruesve kanë injektuar kapital në vlerë mbi 16 milionë euro.

Si rrjedhojë, ju informojmë se me 31 mars 2022, të gjithë siguruesit që ushtrojnë aktivitetin e sigurimeve në vend, janë në përputhje me kërkesat ligjore të BQK-së.

Duke marrë parasysh faktin që sektori i sigurimeve në Kosovë është tërësisht i kapitalizuar dhe në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi, BQK-ja në bashkëpunim me Bankën Botërore janë duke ndërmarrë veprimet përfundimtare për të liberalizuar tregun e produktit të autopërgjegjësisë. Që nga data 4 prill 2022, në BQK janë duke qëndruar ekspertët e Bankës Botërore me të cilët do të dizajnohet modeli i ri i primit të bazuar në rrezik dhe udhërrëfyesi për solvencën 2.

Delegacioni i lartë i BQK-së pjesë e takimeve pranverore të FMN-së dhe BB-së Vendimet e Bordit të BQK-së më 25 mars 2022