Guvernatori Mehmeti takoi përfaqësues të lartë të Bankës Botërore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilët po qëndrojnë në vizitë në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar dhe ka falënderuar përfaqësuesit e këtij institucioni për përkrahjen e vazhdueshme, që kanë dhënë dhe po japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive, ku asetet e sistemit financiar, deri në muajin tetor 2021 kanë shënuar rritje vjetore prej 11.8%, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 13.4%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.0%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.4%.

Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektori i sigurimeve, pensioneve dhe ai i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me asistencat teknike të realizuara deri më tani dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim me ekipin e Bankës Botërore për të finalizuar me sukses projektet e ardhshme.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore të kryesuar nga Elene Imnadze, Zëvendësdrejtoresha e zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, e shoqëruar nga përfaqësues të FINSAC në Vjenë, falënderuan Guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Bankës Botërore dhe BQK-së.