Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se Funksioni i Auditimit të Brendshëm ka përfunduar me sukses procesin e ri-vlerësimit të jashtëm të cilësisë dhe ka pranuar vlerësimin “Generally Conforms”, sipas Standardeve Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm (IPPF 2017).

Ky vlerësim përfaqëson nivelin më të lartë të pajtueshmërisë që mund të arrihet sipas këtyre standardeve dhe përbën një konfirmim të pavarur ndërkombëtar se funksioni i Auditimit të Brendshëm në BQK vepron në përputhje me kërkesat profesionale, standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të auditimit të brendshëm.

Ri-vlerësimi është realizuar nga ekipi i vlerësimit të jashtëm i Bankës Qendrore të Holandës (De Nederlandsche Bank – DNB), një institucion me përvojë të lartë brenda Eurosistemit në fushën e qeverisjes, kontrollit të brendshëm dhe auditimit të brendshëm. Procesi është zhvilluar si vazhdimësi e Vlerësimit të Jashtëm të Cilësisë të kryer në vitin 2023 dhe reflekton progresin e arritur nga BQK-ja në adresimin e rekomandimeve dhe avancimin e mëtejshëm të këtij funksioni.

Rezultati i arritur dëshmon se rekomandimet dhe çështjet e identifikuara gjatë vlerësimit paraprak janë adresuar me sukses përmes masave të ndërmarra për forcimin e qeverisjes së funksionit, sistemit të sigurimit dhe përmirësimit të cilësisë, metodologjisë së auditimit, si dhe mekanizmave për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve.

Ky vlerësim ka rëndësi të veçantë strategjike për BQK-në, pasi konfirmon pjekurinë, efektivitetin dhe profesionalizmin e funksionit të Auditimit të Brendshëm si një komponent kyç i qeverisjes institucionale, llogaridhënies, transparencës dhe kontrollit të brendshëm. Arritja e këtij niveli përbën një dëshmi të qartë të përkushtimit të BQK-së për të ndërtuar dhe ruajtur standarde të larta institucionale, në përputhje me pritjet e institucioneve qendrore bankare dhe praktikave më të avancuara ndërkombëtare.

BQK-ja shpreh vlerësimin dhe falënderimin e saj për Bankën Qendrore të Holandës, për profesionalizmin, ekspertizën dhe mbështetjen e ofruar gjatë këtij procesi të rëndësishëm të vlerësimit të jashtëm.

Në arritjen e këtij rezultati kanë kontribuar përkushtimi i funksionit të Auditimit të Brendshëm, mbështetja e te gjitha strukturave drejtuese dhe mbikëqyrëse të Bankës Qendrore, si dhe angazhimi i përgjithshëm institucional për avancimin e vazhdueshëm të qeverisjes së mirë, auditimit të brendshëm dhe standardeve profesionale në BQK.

BQK-ja mbetet e përkushtuar të vazhdojë zhvillimin dhe avancimin e funksioneve te saj në përputhje me standardet profesionale dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e mëtejmë të qeverisjes institucionale dhe në realizimin e objektivave strategjike të saj.

BQK dhe CBUAE nënshkruajnë Memorandumin Strategjik të Mirëkuptimit për forcimin e bashkëpunimit në mbikëqyrje, financa dhe FinTech