Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili dhe Shkëlqesia e Tij, z. Khaled Mohamed Balama, Guvernator i Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE), nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi (MoU), që synon forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës në fushat me interes të përbashkët. Nënshkrimi u zhvillua në selinë e CBUAE-së në Abu Dhabi.

Në kuadër të këtij Memorandumi Mirëkuptimi, të dyja palët do të avancojnë koordinimin në fushat mbikëqyrëse dhe rregullative, si dhe do të shkëmbejnë ekspertizë lidhur me zhvillimin e teknologjisë financiare, politikën monetare, masat makroprudenciale dhe stabilitetin financiar.

Memorandumi i Mirëkuptimit përfshin gjithashtu një numër fushash prioritare, duke përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, përfshirjen dhe edukimin financiar, bankimin me parime islame, mbikëqyrjen bankare, mbikëqyrjen dhe vëzhgimin e sistemeve të pagesave, zbatimin e standardeve ndërkombëtare prudenciale, si dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (AML/CFT), në përputhje me ligjet dhe rregulloret e zbatueshme të të dyja palëve.

Duke komentuar nënshkrimin, Shkëlqesia e Tij, Khaled Mohamed Balama, Guvernator i CBUAE-së, tha: “Ky Memorandum Mirëkuptimi me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës vjen në një kohë të transformimeve të shpejta në sektorin financiar global, të cilat kërkojnë kanale më të fuqishme institucionale të bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse. Përmes këtij Memorandumi Mirëkuptimi, synojmë të shkëmbejmë njohuri dhe praktika më të mira që rrisin gatishmërinë dhe aftësinë e sektorit financiar për të ecur në hap me ndryshimet, në mbështetje të vizionit të lidershipit tonë dhe interesave të ndërsjella të të dy vendeve”.

Z. Ahmet Ismaili, Guvernator i BQK-së, tha: “Ky Memorandum i parë i Mirëkuptimit me Bankën Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe përbën një moment historik për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Ai pasqyron përkushtimin tonë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucione partnere me reputacion të lartë, forcimin e kapaciteteve tona institucionale dhe mbështetjen e modernizimit të vazhdueshëm të sektorit financiar të Kosovës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira”.

Komunikata e përbashkët

Guvernatori i BQK-së me delegacionin e tij zhvillon vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Kroacisë