Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve, prezanton statistikat e Bilancit të Pagesave për muajin mars 2026.

Bilanci i pagesave – deri në fund të muajit mars 2026 u karakterizua nga një deficit i llogarisë rrjedhëse prej 239.57 milionë euro, që paraqet një rënie prej 22.21% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rënie e deficitit të llogarisë rrjedhëse i atribuohet kryesisht zvogëlimit të deficitit në bilancin tregtar të mallrave, si dhe rritjes së suficitit në bilancin tregtar të shërbimeve.

Bilanci tregtar – në mallra deri në fund të muajit mars 2026 shënoi deficit në vlerë 1,275.76 milion euro, i cili është për 0.76% më i ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 233.72 milionë euro, duke përfaqësuar rritje prej 14.03%, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje të lehtë 1.27% duke arritur vlerën 1,509.48 milionë euro.

Llogaria e shërbimeve – e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, në fund të marsit 2026 shënoi vlerën e 478.21 milionë eurove, që paraqet nivel më të lartë të bilancit pozitiv për 17.64% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

Të ardhurat parësore – deri në fund të marsit 2026 shënuan bilanc pozitiv prej 98.37 milionë euro, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte vlerë 112.17 milionë euro dhe tregon rënie prej 12.30%.

Të ardhurave dytësorë – mbetet kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Në fund të marsit 2026 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 459.61 milionë euro, e cila paraqet rritje prej 0.16% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

Remitancat – janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësorë, vlera e të cilave deri në mars 2026 shënoi 313.46 milionë euro, e cila paraqet një rritje prej 7.62%. krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025. Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin prill 2026 ishin rreth 117.6 milion euro, duke arritur kështu vlerën 431.07 milionë euro (preliminare) për katër muajt e parë të vitit 2026. Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit prill kanë qenë përmes IFJB me 59.67%, përmes bankave komerciale me 17.74% dhe kanaleve tjera me 22.59%.

Asetet në llogarinë financiare – deri në fund të marsit 2026 kanë shënuar bilanc pozitiv për 162.08 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare – kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë prej 368.25 milionë euro.

Investimet direkte në Kosovë – deri në fund marsit 2026 ishin 215.55 milionë euro, e cila paraqet rritje prej 7.81% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 71.23 milionë euro, rënie e lehtë prej 4.10% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Asetet rezervë – deri në fund të marsit 2026 janë rritur për 130.37 milionë euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishte -18.84 milionë euro. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave, të cilat gjatë kësaj periudhe u rritën për 153.88 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë u zvogëluan për 23.51 milionë euro për shkak të maturimit.

Të dhënat e plota mund t’i gjeni në këtë lidhje 🔗 https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/.

BQK miraton pasqyrat financiare vjetore dhe ndan 12 milionë euro për buxhetin e shtetit për vitin e tretë radhazi Guvernatori Ismaili pret në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të FMN-së, z. Yigit Yaşar