Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim z. Yigit Yaşar, Drejtor Ekzekutiv dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në takim mori pjesë edhe z. Hajdar Korbi, Këshilltar i Republikës së Kosovës në Drejtorinë Ekzekutive të Konstituencës së FMN-së ku bën pjesë Kosova.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi z. Yaşar për zhvillimet kryesore në sektorin financiar dhe prioritetet strategjike të BQK-së, me fokus në ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimin e kornizës rregullative dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane.

Guvernatori Ismaili theksoi se sektori financiar në Kosovë mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe me performancë të qëndrueshme. Në këtë kontekst, u diskutua rëndësia e zbatimit të Planit Strategjik 2024-2028 të BQK-së, si kornizë orientuese për reformat institucionale, modernizimin e sistemeve të pagesave, digjitalizimin, mbrojtjen e konsumatorëve financiarë dhe zhvillimin e tregjeve financiare.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, përfshirë asistencën teknike dhe dialogun e vazhdueshëm në fusha kyçe si stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale, qeverisja institucionale dhe zhvillimi i kapaciteteve.

Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj Republikës së Kosovës dhe Bankës Qendrore, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e stabilitetit financiar dhe avancimin e agjendës së reformave. Ai ritheksoi përkushtimin e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FMN-në në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar.

Vizita e z. Yaşar në Kosovë lidhet me pjesëmarrjen e tij në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë që mbahet nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e cila mbledh përfaqësues të lartë të bankave qendrore, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet aktuale dhe prioritetet strategjike të sektorit financiar.

Publikohen statistikat e Bilancit të Pagesave për mars 2026 Nisin punimet e Konferencës Rajonale të nivelit të lartë për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, të organizuar nga BQK