Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka organizuar punëtorinë me temën “Revolucioni i Bankingut të Hapur: Biznes përtej kufijve”, një aktivitet me rëndësi të veçantë për zhvillimin e sektorit financiar dhe avancimin e inovacionit digjital në vend, i realizuar në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), në kuadër të projektit për digjitalizimin e shërbimeve financiare, i mbështetur nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike i Zvicrës (SECO).

Punëtorinë e hapi Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, z. Dardan Fusha, i cili theksoi se Bankingu i Hapur nuk është më një koncept i së ardhmes, por një realitet që po transformon sistemet financiare në Evropë dhe më gjerë. Ai nënvizoi se miratimi i Ligjit për Shërbimet e Pagesave ka vendosur bazën ligjore për zhvillimin e Bankingut të Hapur në Kosovë, duke hapur rrugë për rritjen e konkurrencës, inovacionit dhe integrimit të tregut financiar.

Zëvendësguvernatori Fusha theksoi se zhvillimi i Bankingut të Hapur është rezultat i një pune të strukturuar ndër vite nga BQK, në bashkëpunim me industrinë përmes Këshillit Kombëtar të Pagesave dhe grupeve përkatëse punuese. Ai shtoi se Bankingu i Hapur, së bashku me integrimin në SEPA dhe zhvillimin e pagesave të shpejta (Instant Payments), përbëjnë tre shtyllat kryesore që do të formësojnë të ardhmen e sistemit të pagesave në Kosovë në vitet në vijim, si objektiva dhe zotime konkrete të BQK-së.

“Bankingu i Hapur zhvendos fokusin drejt konsumatorit, duke mundësuar ndarjen e sigurt të të dhënave me pëlqim dhe duke hapur mundësi për shërbime dhe modele të reja biznesi. Megjithatë, ky potencial mund të realizohet vetëm përmes një zbatimi të mirëstrukturuar, standardeve të përbashkëta, sigurisë së lartë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të gjithë akterëve të ekosistemit financiar,” Zëvendësguvernatori Fusha.

Pjesëmarrësit nga sektori financiar (bankat, institucionet financiare jobankare të pagesave dhe të parasë elektronike) patën mundësinë të trajtojnë zhvillimet më të fundit ndërkombëtare në këtë fushë, përfshirë praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rajonit, si dhe sfidat që lidhen me implementimin e Banking-ut të Hapur në tregjet në zhvillim. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përafrimit rregullativ me standardet evropiane, përfshirë Direktivën për Shërbimet e Pagesave (PSD2).

BQK dhe IFC riafirmuan përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar në modernizimin e sektorit financiar në Kosovë dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për inovacion, investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në përputhje me aspiratat për integrim evropian.

Guvernatori Ismaili priti ekipin e FMN-së për procesin SREP dhe avancimin e kornizës mbikëqyrëse BQK pjesëmarrëse në Forumin Financiar: Diskutohen tema mbi stabilitetin dhe gjithëpërfshirjen financiare, kapacitetin institucional, inovacionin dhe bashkëpunimin rajonal