Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, priti në një takim zyrtar përfaqësuesit e Misionit për asistencë teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga znj. Vasilika Kota, Eksperte e Lartë e Sektorit Financiar, dhe znj. Minke Gort, Eksperte e Lartë në Departamentin e Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit. Fokusi i takimit ishte avancimi i kornizës për menaxhimin e krizave dhe forcimi i stabilitetit financiar.

Me këtë rast, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen teknike të FMN-së, duke ritheksuar përkushtimin e BQK-së për avancimin e kornizës për menaxhimin e krizave, rritjen e gatishmërisë institucionale, si dhe forcimin e kapaciteteve për ndërhyrje dhe koordinim ndërinstitucional në funksion të stabilitetit financiar. Ai theksoi se këto aktivitete janë në përputhje të plotë me prioritetet afatmesme institucionale dhe rregullative të BQK-së.

Në vijim, Guvernatori Ismaili prezantoi progresin e arritur në ndërtimin e funksionit të rimëkëmbjes dhe përmbylljes bankare, duke përfshirë krijimin e strukturave të dedikuara të brendshme qeverisëse dhe forcimin e bashkëpunimit ndërdepartamental. U theksua se Ligji i ri për Bankat ofron bazën e nevojshme ligjore për këtë funksion, ndërsa legjislacioni sekondar dhe rregulloret zbatuese janë në proces zhvillimi dhe pritet të miratohen gradualisht në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e koordinimit efektiv ndërinstitucional, në veçanti me Ministrinë e Financave dhe Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës, përmes një strukture të veçantë që synon të shërbejë si platformë kyçe për bashkërendimin e instrumenteve dhe shkëmbimin efikas të informacionit në situata të stresit financiar.

Guvernatori Ismaili theksoi po ashtu rëndësinë e adoptimit të praktikave më të mira ndërkombëtare dhe operacionalizimit të kornizave ekzistuese përmes zhvillimit të simulimeve, skenarëve dhe protokolleve operative, me synim kalimin nga dizajni rregullator drejt efektivitetit operacional bashkëkohor.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen teknike, me fokus të veçantë në avancimin e mëtejmë të kornizës rregullative, forcimin e kornizës së rimëkëmbjes dhe përmbylljes bankare, si dhe operacionalizimin e strukturave të koordinimit ndërinstitucional.

Në këtë kontekst, u konfirmua rëndësia e këtij projekti për rritjen e gatishmërisë institucionale dhe forcimin e efektivitetit operacional në ruajtjen e stabilitetit financiar, projekt ky i mundësuar nga FMN mbi bazën e diskutimeve dhe synimeve të BQK-së sipas planit strategjik.

Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili rikonfirmoi gatishmërinë për angazhim të vazhdueshëm me FMN-në, duke falënderuar për partneritetin dhe ekspertizën e ofruar, si dhe duke ritheksuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e reformave në fushën e stabilitetit financiar.

Guvernatori Ismaili pret në takim anëtarin e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it, z. Brendan O’Connor Guvernatori Ismaili merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me rastin e 10-vjetorit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore: Bashkëpunimi institucional është thelbësor për ndërtimin e një ekosistemi financiar më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm në vend