Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim Anëtarin e Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe Drejtor i Konstituencës ku bën pjesë Kosova, z. Brendan O’Connor, i shoqëruar nga Anëtari Zëvendësues i Bordit të Drejtorëve të BERZH-it si dhe Anëtari Zëvendësues i Konstituencës ku bën pjesë Kosova, z. Anders Garly Andersen.

Guvernatori Ismaili e informoi z. O’Connor mbi zhvillimet në sektorin financiar në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar, avancimin e rregullativës dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mbikëqyrjes financiare. Guvernatori Ismaili theksoi se sektori financiar në vend vazhdon të karakterizohet me likuiditet të lartë, mirë i kapitalizuar dhe performancë të qëndrueshme.

Në vijim të takimit, Guvernatori Ismaili foli mbi zhvillimet makrofinanciare, duke përfshirë trendet ekonomike, inflacionin dhe sfidat globale që ndikojnë në ekonominë e vendit tonë. U theksua rëndësia e koordinimit të politikave dhe forcimit të mekanizmave për ruajtjen e stabilitetit financiar në një mjedis gjithnjë e më kompleks.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe BERZH-it, ku u vlerësua partneriteti i deritanishëm dhe shpreh gatishmëria për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në mbështetje të zhvillimit të tregjeve financiare dhe rritjes së qasjes në financa.

Gjithashtu, u fol edhe për projektet aktuale dhe të ardhshme të BERZH-it në Kosovë, me fokus në sektorin financiar, digjitalizimin dhe përkrahjen e sektorit privat. U theksua rëndësia e këtyre projekteve për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.

Në përmbyllje të takimit, Guvernatori Ismaili shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it ndaj Kosovës, duke vlerësuar kontributin e saj të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit financiar dhe ekonomisë në përgjithësi. Ai theksoi përkushtimin e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me BERZH-in në të ardhmen.

Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori Ismaili përfundon me sukses Takimet Pranverore 2026 të FMN-së dhe BB-së në Washington DC Guvernatori Ismaili pret në takim zyrtar Misionin e FMN-së për asistencë teknike në avancimin e kornizës për menaxhimin e krizave dhe stabilitetin financiar