Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, me delegacionin e tij, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), u mirëprit ngrohtësisht në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga drejtorët z. Ed Roche si dhe Rachel Irmen, përgjegjës për zhvillimin e tregut të kapitalit, si dhe për fushën e PPP/LPPFT, me bashkëpunëtorë.

Takimi riafirmoi partneritetin e fortë ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në kuadër të projektit aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me rëndësi strategjike, sipas Planit Strategjik, siç janë lufta kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes (PP/FT/FP) dhe zhvillimi i infrastrukturës për tregun e kapitalit. Kjo përfshin edhe mbështetjen e punës fillestare për infrastrukturën më të gjerë të tregut të kapitalit dhe kornizat e nevojshme operacionale.

Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj BQK-së, duke vlerësuar lart vazhdimin e aktiviteteve që mbështesin asistencën teknike. Gjithashtu, ai vlerësoi lart rolin e rëndësishëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në fuqizimin e funksioneve kryesore dhe ngritjen e kapaciteteve të BQK-së.

Delegacioni i BQK-së e informoi ekipin e Thesarit mbi zhvillimet kryesore në avancimin e kornizës ligjore dhe masat e marra për të avancuar integritetin e sistemit financiar.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili riafirmoi angazhimin e BQK-së për të avancuar partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së në fusha me interes strategjik të përbashkët.

Nga ana e tyre, drejtuesit e Zyrës së Asistencës Teknike të Thesarit Amerikan konfirmuan gatishmërinë e tyre për të zgjeruar bashkëpunimin në kuadër të programit të ri të asistencës teknike në fushën  kundër PP/FT/FP, si dhe për të eksploruar një projekt të mundshëm për avancimin e infrastrukturës teknike për zhvillimin e tregut të kapitalit.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj për të promovuar një sektor financiar të fortë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Zëvendësguvernatori Fusha takon Zëvendëspresidentin e Clearstream, z. Christian Rössler në kuadër të Takimeve Pranverore në Washington DC Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Francës (Banque de France) avancojnë bashkëpunimin dhe nënshkruajnë Marrëveshje të re