Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) shpreh urimet e saj të sinqerta për Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Kroacisë, z. Boris Vujčić, për emërimin e tij si Zëvendëspresident i Bankës Qendrore Evropiane (ECB), pas konfirmimit nga të gjitha institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian. Mandati i tij pritet të fillojë më 1 qershor 2026.

Në emër të BQK-së, Guvernatori Ahmet Ismaili përcolli urimet e tij për Bankën Kombëtare të Kroacisë dhe shtetin mik kroat për këtë arritje të rëndësishme, e cila pasqyron pozitën e fortë institucionale të Kroacisë dhe kontributin e saj në arkitekturën financiare evropiane.

BQK vlerëson lart bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të qëndrueshëm ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Bankës Kombëtare të Kroacisë, të ndërtuar mbi një partneritet të fortë profesional dhe shkëmbim të vazhdueshëm të përvojave në funksion të zhvillimit të sektorit financiar dhe integrimit evropian.

Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili rikujtoi me vlerësim të veçantë vizitën e z. Vujčić në Kosovë në nëntor 2024, ku ai mori pjesë si panelist në konferencën që shënoi 25-vjetorin e themelimit të BQK-së, duke kontribuar në diskutimet mbi stabilitetin monetar dhe financiar, si dhe zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

Ky emërim përfaqëson një moment të rëndësishëm jo vetëm për Kroacinë, por edhe për rajonin dhe këtë pjesë të Evropës, duke forcuar përfaqësimin dhe perspektivën evropiane në institucionet kyçe monetare. BQK shpreh besimin se, në rolin e tij të ri, z. Vujčić do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me Bankën Qendrore Evropiane dhe në avancimin e proceseve të integrimit financiar.

BQK gjithashtu përgëzon Bankën Kombëtare të Kroacisë dhe shtetin mik kroat për këtë arritje të rëndësishme, e cila përkon me përfaqësimin e tyre në nivele të larta edhe në institucione të tjera kyçe financiare evropiane, përfshirë Zëvendëspresidencën e Bankës Evropiane për Investime (EIB).

Guvernatori Ismaili ligjëroi para studentëve të RIT Kosovo (AUK) mbi rolin e BQK-së në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik Zëvendësguvernatori Fusha pjesë e panelit për rolin e parasë digjitale në luftimin e evazionit tatimor në kuadër të Javës Globale të Parasë