Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mbajti një ligjëratë para studentëve të RIT Kosovo (AUK) me temën: “Roli i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë”, në kuadër të aktiviteteve të Javës Globale të Parasë 2026.

Në këtë ligjëratë, Guvernatori Ismaili prezantoi në mënyrë të strukturuar mandatin, objektivat dhe funksionet kryesore të BQK-së, duke theksuar se stabiliteti financiar përbën parakusht themelor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ai u ndal në rolin e BQK-së në hartimin dhe zbatimin e politikave që sigurojnë stabilitetin e sistemit financiar, përmes një kornize të konsoliduar rregullative dhe mbikëqyrëse, që përfshin si dimensionin mikroprudencial ashtu edhe atë makroprudencial.

Fokus i veçantë iu kushtua instrumenteve rregullative dhe politikave makroprudenciale, të cilat, në ndërveprim me mbikëqyrjen efektive, kanë kontribuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sektorit financiar dhe në mbështetjen e kreditimit të qëndrueshëm të ekonomisë. U theksua se balancimi ndërmjet stabilitetit dhe zhvillimit është thelbësor për të siguruar një sistem financiar që jo vetëm reziston ndaj goditjeve, por edhe kontribuon aktivisht në rritjen ekonomike afatgjatë.

Guvernatori vuri në pah zhvillimet pozitive të viteve të fundit, duke evidentuar kapitalizimin e mirë të sektorit bankar, nivelin e lartë të likuiditetit dhe cilësinë e qëndrueshme të aseteve, si faktorë kyç që e pozicionojnë sektorin financiar si një shtyllë të rëndësishme të stabilitetit makroekonomik dhe zhvillimit ekonomik. Në këtë kontekst, ai prezantoi gjithashtu reformat dhe nismat e vazhdueshme rregullatore, si dhe procesin e përafrimit me standardet ndërkombëtare, të cilat synojnë forcimin e integrimit financiar, zgjerimin e qasjes në financa dhe rritjen e integritetit të sistemit financiar.

Një pjesë e rëndësishme e ligjëratës iu kushtua edukimit financiar, si një komponent kyç për zhvillim të qëndrueshëm. Guvernatori Ismaili theksoi rolin proaktiv të BQK-së në rritjen e njohurive financiare të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, dhe në promovimin e përfshirjes financiare si faktor që rrit qëndrueshmërinë ekonomike dhe mirëqenien e përgjithshme. Në këtë kuadër, ai njoftoi hapjen e thirrjes për aplikim për “Çmimin e BQK-së për Ekonomistët e Rinj”, duke inkurajuar studentët të kontribuojnë me ide dhe hulumtime inovative në fushën e ekonomisë dhe financave.

Në kuadër të aktivitetit, një prezantim i veçantë mbi politikat makroprudenciale dhe dollarizimin, si dhe implikimet e tyre për stabilitetin financiar, u mbajt nga studiuesi Dr. Fisnik Bajrami nga Charles University në Pragë, i cili ofroi një perspektivë analitike dhe ndër-rajonale, duke ndërlidhur qasjet teorike me praktikat e aplikuara në ruajtjen e stabilitetit financiar.

Ligjërata u përmbyll me një diskutim interaktiv me studentët, të cilët shfaqën interes të lartë për temat e trajtuara dhe adresuan pyetje mbi funksionimin e sistemit financiar, sfidat aktuale dhe perspektivat e zhvillimit të tij.

BQK do të vazhdojë me organizimin e aktiviteteve edukative dhe ndërvepruese, me synim forcimin e edukimit financiar dhe rritjen e përfshirjes së të rinjve në çështjet ekonomike dhe financiare, si një investim afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

BQK thekson rëndësinë e edukimit financiar në ndarjen e çmimeve të garës “Stock Market Learning Competition” për bankierë të rinj BQK përshëndet emërimin e Guvernatorit Boris Vujčić si Zëvendëspresident i Bankës Qendrore Evropiane