Banka Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) si bashkë organizatore me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe me mbështetjen e German Sparkassenstiftung for International Cooperation, organizuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve për garën “Stock Market Learning Competition” për bankierë të rinj, si pjesë e organizimeve të përbashkëta dhe dakorduara sipas Memorandumit të Mirëkuptimit me shoqatat e sektorit financiar.

Në këtë aktivitet, Zëvendësguvernatorja e BQK-së, znj. Nesrin Shileku-Shala, theksoi rëndësinë e edukimit financiar dhe të përvojës praktike në përgatitjen e profesionistëve të rinj për sfidat e tregut financiar. Ajo nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të BQK-së në forcimin e edukimit financiar, mbrojtjes së konsumatorit dhe përfshirjes financiare, duke e reflektuar këtë angazhim edhe përmes aktiviteteve të organizuara në kuadër të Javës Globale të Parasë.

Në kuadër të kësaj ceremonie Shoqata e Bankave të Kosovës shpërbleu fituesit e garës “Stock Market Learning Competition” për bankierë të rinj, një iniciativë e realizuar në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung for International Cooperation. Përmes kësaj gare, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi funksionimin e tregjeve të kapitalit dhe të zhvillojnë aftësi praktike në vendimmarrje investuese, në një mjedis simulues të tregtimit.

Një ditë me parë, me rastin e hapjes së Javës Globale të Parasë, BQK shpalli fituesit e kësaj gara për studentët me një ceremoni të veçantë ku u shpërblyen 11 fitues, dhe ku morën pjesë edhe Drejtori Menaxhues i German Sparkassenstiftung for International Cooperation si dhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.

Zëvendësguvernatorja Shileku-Shala gjithashtu rikonfirmoi fokusin strategjik të BQK-së në zhvillimin e tregjeve të kapitalit, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e ndërthurjes së edukimit financiar me kuptimin e zhvillimeve teknologjike në një mjedis financiar gjithnjë në transformim.

Në këtë kontekst, BQK mbetet e përkushtuar në promovimin e edukimit financiar dhe në ndërtimin e një shoqërie financiarisht të edukuar dhe të qëndrueshme.

Java Globale e Parasë është iniciativë e udhëhequr nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), bashkon 176 vende të botës për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e edukimit financiar. Këtë ngjarje sivjet BQK e organizon për të 13-tën herë dhe do të shënohet me aktivitete nga data 16 deri më 20 mars 2025.

Guvernatori Ismaili diskutoi me Drejtoreshën Ekzekutive të ShKÇAK (SCAAK) për forcimin e cilësisë së raportimit financiar dhe zhvillimin e profesionit në vend Guvernatori Ismaili ligjëroi para studentëve të RIT Kosovo (AUK) mbi rolin e BQK-së në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik