Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori z. Dardan Fusha, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), z. Mentor Hyseni me bashkëpunëtorë. Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet BQK-së dhe ATK-së, me theks të veçantë në shkëmbimin e informacioneve dhe avancimin e koordinimit në fushën e mbikëqyrjes financiare dhe operacioneve bankare, si dhe përmirësimin e mekanizmave që kontribuojnë në transparencën dhe integritetin e sistemit financiar në vend.

Gjatë diskutimeve u trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me rregullimin dhe shpalosjen e transaksioneve financiare, si dhe ndarjen e të dhënave, me synim rritjen e transparencës, forcimin e integritetit të tregut financiar dhe mbështetjen e përpjekjeve për luftën ndaj informalitetit dhe parandalimin e aktiviteteve që nuk janë në linjë me rregullativën. 

Guvernatori Ismaili fillimisht theksoi rëndësinë e avancimit të kapaciteteve institucionale dhe harmonizimit të proceseve mes dy institucioneve, duke nënvizuar se bashkëpunimi efektiv është thelbësor për të siguruar funksionim të qëndrueshëm të sistemit financiar dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit, duke përfshirë projektet e reja që lidhen me digjitalizimin e shërbimeve financiare. U veçuan nismat ligjore në sektorin financiar si dhe aktivitetet që lidhen me gjithëpërfshirjen financiare, qasjen në financa dhe edukimin financiar. Gjithashtu e njoftoi z. Hyseni me zhvillimet kryesore të sektorit financiar, përfshirë zhvillimin e infrastrukturës së pagesave të shpejta – TIPS Clone, si aktivitete të ndërmarra drejt integrimit në SEPA, duke e afruar vendin më pranë infrastrukturës financiare të Bashkimit Evropian.

Nga ana tjetër, Drejtori i ATK-së, vlerësoi rolin e BQK-së në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe shprehu gatishmërinë e ATK-së për të intensifikuar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë digjitalizimin, shkëmbimin e të dhënave dhe koordinimin e mekanizmave për të parandaluar dhe luftuar dukuritë joligjore në nivel të vendit.

Në fund të takimit, palët u pajtuan që të vazhdojnë me hapa të koordinuar në funksion të forcimit të qeverisjes financiare dhe rritjes së efikasitetit institucional. Po ashtu, u dakordua edhe mundësia e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet BQK-së dhe ATK-së për të formalizuar dhe thelluar bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët, duke theksuar se harmonizimi i veprimeve është një komponent kyç për ruajtjen e integritetit të tregut financiar dhe besimit të publikut, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

BQK dhe Këshilli i Evropës organizuan punëtori për forcimin e praktikave mbikëqyrëse të kripto-aseteve dhe vlerësimin e Ligjit për Kripto-Asetet BQK hap aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026, ndan çmimet e garave dhe shpall “Çmimin për Ekonomistë të Rinj”