Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), me mbështetjen e Këshillit të Evropës Zyra në Prishtinë, në kuadër të Aksionit kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik (ACEC), i cili mbështetet nga Projekti i Përbashkët i Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK), organizuan punëtorinë katër ditore për forcimin e praktikave mbikëqyrëse të sektorit të kripto-aseteve dhe për vlerësimin e kornizës ligjore ekzistuese për këtë sektor.

Punëtoria u mbajt më 3-6 mars 2026, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të BQK-së, Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës (NjIF-K) dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), si palë që kanë detyra nga Ligji për kripto-asetet, duke treguar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në rregullimin dhe mbikëqyrjen e këtij sektori në zhvillim.

Punëtorinë e hapën znj. Vlora Marmullakaj, përfaqësuese e projektit, e cila prezantoi qëllimin dhe përmbajtjen e punëtorisë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të projektit për institucionet e Kosovës në nisma kundër krimit ekonomik, përfshirë parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, dhe tani duke përkrahur institucionet në fushën e kripto-aseteve; dhe z. Sokol Shasivari, drejtor i Departamentit të Tregjeve, Institucioneve Jobankare dhe Kripto-Aseteve në BQK, i cili theksoi zhvillimet në kornizën rregullative dhe mbikëqyrëse për sektorin e kripto-aseteve, rëndësinë e forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve mbikëqyrëse dhe nevojën për avancimin e mëtejshëm të kornizës ligjore dhe rregullative në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjatë ditëve të punëtorisë u zhvilluan prezantime dhe gjetje nga eksperti i Këshillit të Evropës, të cilat u përqendruan në praktikat ndërkombëtare të mbikëqyrjes dhe zhvillimin e mjeteve praktike për zbatimin e një qasjeje mbikëqyrëse të bazuar në rrezik.

Në ditën e parë u prezantua drafti fillestar nga BQK i Manualit të Mbikëqyrjes Prudenciale të Ofruesve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve (OSHKA), dokument kyç për zbatimin e qasjes së bazuar në rrezik. Manuali mbulon të gjithë ciklin mbikëqyrës, nga licencimi e deri te mbikëqyrja e vazhdueshme dhe marrja e masave korrigjuese, duke përcaktuar procedura të qarta. Në këtë kuadër u trajtua edhe procesi i licencimit të OSHKA-ve sipas kërkesave të rregullores përkatëse dhe procedurave të parashikuara në manual për shqyrtimin e aplikimeve.

Kurse dita e dytë iu kushtua vlerësimit të Ligjit për Kripto-Asetet, me fokus në identifikimin e mangësive të zbatimit fillestar dhe shqyrtimin e mundësive për avancimin e mëtejshëm të domosdoshëm të tij. Diskutimet u orientuan drejt harmonizimit të kornizës ligjore me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë elemente të Rregullores së BE-së për Tregjet e Kripto-Aseteve (MiCA), dhe reflektuan komente dhe rekomandime të ekspertëve ndërkombëtarë dhe grupit punues të BQK-së për Kripto-Asete.

BQK vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për bashkëpunimin me partnerët institucionalë dhe ndërkombëtarë për forcimin e kornizës mbikëqyrëse dhe rregullative të sektorit financiar në Republikën e Kosovës.

Guvernatori Ismaili priti ekipin e projektit për ekuivalentimin e kornizës rregullative të BQK-së me atë të Bashkimit Evropian për banka Guvernatori Ismaili takoi Drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së, z. Mentor Hyseni: Diskutohen nismat aktuale dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërinstitucional