Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim ekipin e zbatimit të projektit për Ekuivalentimin e Kornizës Rregullative të BQK-së me Autoritetin Bankar Evropian (EBA Equivalency). Ekipi i projektit përbëhej nga z. Rado Bekes, kryesues i grupit nga Deloitte, znj. Kateryna Yashchenko, menaxhere e projektit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe znj. Arta Limani, Partnere nga Deloitte Kosova.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili falënderoi BERZH-in dhe Deloitte për mbështetjen e dhënë ndaj BQK-së në avancimin e këtij projekti të rëndësishëm, i cili synon harmonizimin e mëtejshëm të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse të sektorit bankar me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian (BE), për të cilin është formuar grupi punues të cilët do të kontribuojnë në procesin e zbatimit të projektit.

Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin e mirë që BQK ka zhvilluar me Autoritetin Bankar Evropian (EBA), duke rikujtuar vizitën e delegacionit të BQK-së në EBA dhe takimin e zhvilluar në maj 2025 me Kryetarin e EBA-së, z. José Manuel Campa. Guvernatori Ismaili nënvizoi se BQK-ja do të vazhdojë të mbajë kontakte të rregullta me EBA-n dhe do t’i informojë për fillimin dhe progresin e projektit.

Gjatë takimit u diskutua edhe për afatet kohore të projektit, fazat e zbatimit dhe produktet kryesore (deliverables) që pritet të realizohen në kuadër të tij. Guvernatori Ismaili potencoi se objektivi i BQK-së është harmonizimi i plotë i kornizës rregullative me rregulloret dhe direktivat e BE-së, duke theksuar se BQK-ja e mbështet plotësisht këtë projekt dhe e konsideron atë një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar evropian.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e projektit paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me zbatimin e projektit, duke ofruar një pasqyrë të qasjes dhe metodologjisë së punës. Z. Bekes dhe përfaqësuesit e BERZH-it shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur BQK-në gjatë gjithë procesit, deri në arritjen e rezultateve konkrete në drejtim të ekuivalentimit të kornizës rregullative me atë të EBA-s.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili i informoi përfaqësuesit e projektit edhe për iniciativa dhe projekte të tjera që janë aktualisht në proces në BQK, të cilat kanë për qëllim forcimin e mëtejshëm të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse të sistemit financiar.

Në përmbyllje të takimit, Guvernatori Ismaili falënderoi edhe një herë BERZH-in dhe Deloitte për mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së në realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës forcon rrugën e saj drejt integrimit evropian përmes pjesëmarrjes në Programin e financuar nga BE të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore për ngritjen e kapaciteteve BQK dhe Këshilli i Evropës organizuan punëtori për forcimin e praktikave mbikëqyrëse të kripto-aseteve dhe vlerësimin e Ligjit për Kripto-Asetet