Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mirëpret lansimin e Fazës III të “Programit për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor”, të financuar nga BE, i cili zbatohet bashkërisht nga banka qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank), 19 banka qendrore të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE). Aktiviteti hapës u organizua nga banka qendrore e Italisë (Banca d’Italia), duke shënuar fillimin zyrtar të kësaj faze të re të bashkëpunimit, ku mori pjesë edhe përfaqësuesi i deleguar nga BQK. Programi përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në mbështetjen e zhvillimit të vazhdueshëm institucional të BQK-së dhe përafrimin e saj me standardet evropiane në rrugën drejt integrimit në SEBQ.

I financuar nga Bashkimi Evropian me 3 milionë euro në kuadër të Instrumentit për Asistencë të Para-Anëtarësimit (IPA III), programi 36-mujor synon të avancojë kapacitetet analitike, rregullative dhe mbikëqyrëse të bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse në gjithë Ballkanin Perëndimor. Për BQK-në, kjo nismë ofron mbështetje teknike të synuar për forcimin e instrumenteve të politikave, kornizave rregullative dhe praktikave operacionale, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane.

Si institucion përfitues, BQK do të angazhohet në mënyrë aktive në një program intensiv rajonal trajnimi dhe në masa të asistencës teknike dypalëshe të përshtatura sipas prioriteteve të saj institucionale. Programi do të fokusohet në fusha kyçe strategjike të bankës qendrore, përfshirë parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (PPP/LFT), qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve kibernetike, shkencën dhe qeverisjen e të dhënave, transformimin digjital, inovacionin dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në bankat qendrore. Dialogu i nivelit të lartë i politikave do të trajtojë gjithashtu pavarësinë e bankës qendrore dhe zhvillimet në sistemet e pagesave, fusha me rëndësi të drejtpërdrejtë për mandatin e BQK-së.

Përmes pjesëmarrjes së saj në këtë program, BQK rikonfirmon angazhimin për forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e efektivitetit të mbikëqyrjes dhe modernizimin e kornizës së saj institucionale në përgatitje për integrim më të thellë evropian. Programi mbështet më tej objektivin e BQK-së për përafrimin e praktikave rregullative dhe mbikëqyrëse me acquis communautaire dhe standardet e SEBQ-së, duke nxitur njëkohësisht partneritete të qëndrueshme me institucionet homologe në të gjithë Bashkimin Evropian.

Programi implementohet nga banka qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank) si koordinatore e programit në partneritet me bankat qendrore të Belgjikës (Nationale Bank van België/Banque Nationale de Belgique), Bullgarisë (Българска народна банка), Greqisë (Bank of Greece), Spanjës (Banco de España), Francës (Banque de France), Kroacisë (Hrvatska narodna banka), Irlandës (Central Bank of Ireland), Italisë (Banca d’Italia), Lituanisë (Lietuvos bankas), Luksemburgut (Banque centrale du Luxembourg), Hungarisë (Magyar Nemzeti Bank), Holandës (De Nederlandsche Bank), Austrisë (Oesterreichische Nationalbank), Polonisë (Narodowy Bank Polski), Portugalisë (Banco de Portugal), Rumanisë (Banca Naţională a României), Sllovenisë (Banka Slovenije), Sllovakisë (Národná banka Slovenska) dhe Suedisë (Sveriges Riksbank). BQE do të kontribuojë në implementimin e programit.

Çmimi i BQK-së për shkrimin dhe raportimin në gazetari për sektorin financiar 2026 Guvernatori Ismaili priti ekipin e projektit për ekuivalentimin e kornizës rregullative të BQK-së me atë të Bashkimit Evropian për banka