Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mbajtur punëtorinë konsultative sektoriale me institucionet mikrofinanciare, me fokus avancimin e kornizës rregullatore dhe mbikëqyrëse për këtë sektor si dhe pritshmëritë rregullatore të BQK-së për zhvillimin dhe rregullimin e mëtejshëm të sistemit financiar.

Punëtorinë e hapi z. Amir Zylfiu, Udhëheqës i Zyrës së Guvernatorit, i cili theksoi rëndësinë e procesit konsultativ për të avancuar kornizën rregullatore dhe mbikëqyrëse që synon të mundësojë modele të reja biznesi për IFJB-të, të forcojë gjithëpërfshirjen financiare, mbrojtjen e konsumatorit, si dhe të harmonizojë sektorin me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregjeve, Institucioneve Mikrofinanciare dhe Institucioneve Jo-Bankare, z. Sokol Shasivari prezantoi gjendjen aktuale të sektorit, rolin e tij në rritjen e gjithëpërfshirjes financiare dhe sfidat kryesore që lidhen me qeverisjen dhe menaxhimin e rrezikut në një periudhë të digjitalizimit dhe inovacionit të shpejtë. Ai gjithashtu paraqiti pritjet e BQK-së për ndryshimet e ardhshme, duke theksuar nevojën për forcimin e kërkesave prudenciale, përmirësimin e qeverisjes dhe transparencës, si dhe ngritjen e standardeve të sjelljes ndaj konsumatorit. Këto ndryshime pritet të sjellin përmirësime të rëndësishme në menaxhimin e rrezikut, kapitalit dhe mbikëqyrjes prudenciale.

Gjatë punëtorisë u diskutua dhe u prezantua puna e grupit punues për avancimin e kornizës ligjore, të mbështetur nga asistenca teknike e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), që ka për synim rregullimin më gjithëpërfshirës të licencimit, veprimtarisë, qeverisjes dhe mbikëqyrjes së institucioneve financiare jo-bankare, përfshirë edhe përfitimet për sektorin.

Punëtoria u shoqërua me diskutime dhe komente konstruktive nga palët pjesëmarrëse duke shënuar fillimin e një dialogu të strukturuar me palët e interesit, me synim që rishikimi i kornizës ligjore dhe mbikëqyrëse të mbështetet në bashkëpunim të ngushtë me sektorin duke balancuar nevojën për zhvillim të tregut dhe ruajtjes së stabilitetit financiar.

BQK riafirmon angazhimin e saj për të zhvilluar një kornizë moderne, një sektor të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, që mbështet zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar jo-bankar dhe rrit sigurinë dhe mirëqenien e konsumatorëve, ku do të zhvillohen edhe një sërë takimesh tjera me institucionet tjera jo-bankare.

Zëvendësguvernatori Cakaj merr pjesë si panelist në konferencën ndërkombëtar për rreziqet klimatike dhe stabilitetin financiar në Shkup BQK pjesëmarrëse në “Brezovica Economic Forum 2025”: Diskutohet qasja në financa dhe mundësitë alternative të financimit për ekonominë e Ballkanit Perëndimor