Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Milot Cakaj mori pjesë si panelist në konferencën ndërkombëtare “Rreziqet klimatike dhe stabiliteti financiar: Orientimi në sfida të sotme dhe mundësitë e së nesërmes”, organizuar nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Zëvendësguvernatori Cakaj kontribuoi në panelin me temë “Qasja mbikëqyrëse ndaj rrezikut klimatik”, të moderuar nga Ismael Ahmad Fontan nga Banka Botërore, ku morën pjesë përfaqësues të niveleve të larta mbikëqyrëse nga bankat qendrore të rajonit, përfshirë Bankën e Shqipërisë, Bankën Qendrore të Malit të Zi, Bankën Qendrore të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Bankën e Greqisë.

Në fjalën e tij, zëvendësguvernatori Cakaj theksoi rëndësinë e integrimit të rreziqeve klimatike në proceset mbikëqyrëse, duke nënvizuar se rreziqet fizike dhe ato të tranzicionit po ndikojnë drejtpërdrejt në modelet e biznesit dhe ekspozimet kreditore të institucioneve financiare. Ai vlerësoi nevojën për qasje të harmonizuar me standardet e Bankës Qendrore Evropiane dhe Komiteti i Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Ai solli në vëmendje një sërë hapash të ndërmarra nga BQK-ja në dy vitet e fundit, duke theksuar integrimin e rreziqeve klimatike në Planin Strategjik 2024-2028, anëtarësimin në Sustainable Banking and Finance Network (SBNF), si dhe publikimin e Udhëzuesit të parë për Ekspozimet Kreditore lidhur me tranzicionin klimatik, veçanërisht në kuadër të mekanizmit evropian CBAM.

Gjatë diskutimit në panel, Zëvendësguvernatori Cakaj shtoi se miratimi i Udhëzimit për Huatë e Sindikuara dhe Udhërrëfyesi Strategjik për Menaxhimin e Rreziqeve Klimatike dhe Mjedisore 2025-2027, i hartuar me asistencën e FinSAC-it të Bankës Botërore, kanë krijuar bazën rregullatore për projekte të qëndrueshme dhe investime afatgjata në energji të pastër. Në këtë kuadër, finalizimi i Letrës Këshilluese për sektorin bankar dhe përfshirja e rrezikut klimatik në procesin SREP përbëjnë hapat e radhës në forcimin e mbikëqyrjes prudente.

Në përmbyllje, Zëvendësguvernatori Cakaj theksoi se qasja e BQK-së është praktike, progresive dhe e orientuar drejt parandalimit të rreziqeve që mund të ndikojnë në stabilitetin e sistemit financiar, duke adresuar me kohë sfidat klimatike që ndikojnë në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Guvernatori Ismaili merr pjesë si panelist në Konferencën Ndërkombëtare mbi Integrimin Ekonomik Evropian (CEEI) 2025 të Bankës Kombëtare të Austrisë BQK mban punëtorinë konsultative për avancimin e kornizës rregullative për institucionet financiare jo-bankare