Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimet Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Washington D.C., Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Milot Cakaj zhvilloi një takim me z. Philip Brown, Kryeshef Ekzekutiv i Clearstream dhe pjesë e Grupit të Bursës Gjermane me seli në Luksemburg. Njëkohësisht Clearstream është partner i Deutsche Bundesbank, e cila është një ndër bankat kryesore partnere të BQK-së për menaxhimin e rezervave, likuiditetit dhe investimeve.

Gjatë takimit, u diskutua mundësia e bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe Clearstream në fushën e menaxhimit të rezervave ndërkombëtare, përfshirë ofrimin e shërbimeve të ruajtjes (Custody), si dhe qasjen në produkte dhe shërbime të avancuara të tregjeve financiare, si huadhënia dhe huamarrja përmes letrave me vlerë, në funksion të tregut financiar në vend.

Zhvillimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do t’i mundësojë BQK-së të integrojë zgjidhje moderne teknologjike në proceset e menaxhimit të mjeteve, duke rritur efikasitetin operacional përmes përdorimit të instrumenteve financiare në tregjet ndërkombëtare.

Ky takim përfaqëson një hap shtesë në kuadër të aktiviteteve të BQK-së për të zgjeruar dhe diversifikuar partneritetet strategjike në fushën e menaxhimit të rezervave të BQK-së.

BQK është e përkushtuar që në zbatim të objektivave të saj dhe planit strategjik të avancojë instrumentet e saj monetare dhe rregullatore për zbatim efektiv të mandatit të saj, që mbështesin fuqizimin e sektorit financiar dhe stabilitetin financiar.

Guvernatori Ismaili takoi Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer Guvernatori Ismaili folës në Forumin e FMN-së për Perspektivën Ekonomike Rajonale për Evropën (REO)