Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, me bashkëpunëtorët e tij zhvilloi takim me delegacionin e Bankës Kombëtare Zvicerane (SNB), udhëhequr nga Kryetari i Bordit Drejtues z. Martin Schlegel, gjatë Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Washington D.C.

Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi e informoi Guvernatorin e Zvicrës, z. Schlegel për zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe reformat e tjera të ndërmarra drejt harmonizimit me kornizën ligjore të Bashkimit Evropian. Veçanërisht ai ka informuar mbi progresin e bërë dhe veprimet e ndërmarra nga BQK-ja për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), modernizimin e sistemit të pagesave të shpejta, si dhe prioritetet tjera nga plani strategjik.

U diskutua lidhur me mundësinë e fillimit të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët, duke përfshirë menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, shkëmbimin e përvojave në fushat e stabilitetit financiar, si dhe aspekte tjera që avancojnë raportet institucionale, duke marrë për bazë raportet e mira ndërshtetërore si dhe diasporën tonë në Zvicër.

Nga ana e tij, Guvernatori Schlegel shprehu gatishmërinë për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit, derisa e vlerësoi lart iniciativën për takimin dhe për të diskutuar këto mundësi.

Guvernatori Ismaili shprehu vlerësimin e tij për Bankën Kombëtare të Zvicrës, duke pasur parasysh se ky është takimi i parë nismëtar në krijimin e raporteve institucionale.

Në kuadër të qëndrimit në SHBA, delegacioni i BQK-së do kenë takime bilaterale me homologët nga bankat qendrore partnere.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Letrës së Qëllimit ndërmjet pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bankën e Italisë për projektin e pagesave të shpejta – TIPS Clone Delegacioni i BQK-së takoi Shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë, z. Amaglobeli në Takimet Vjetore 2025 të FMN-së dhe BB-së