Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në sesionin e mëngjesit te nivelit të lartë “Nxitja e Produktivitetit në Evropë dhe Azinë Qendrore”, të organizuar nga Banka Botërore gjatë Takimeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB).

Ngjarja mblodhi drejtues të lartë të Bankës Botërore, përfshirë znj. Antonella Bassani, Zëvendëspresidente për Evropë dhe Azi Qendrore dhe z. Asad Alam, Drejtor Rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore, dhe si dhe ministra dhe guvernatorë që përfaqësuan vendet si Kosova, Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Mali i Zi, Rumania, Moldavia dhe Kirgistani.

Diskutimet u përqendruan në studimin rajonal të Bankës Botërore mbi produktivitetin në Evropë dhe Azinë Qendrore (ECA), me synim identifikimin e prioriteteve kryesore për rritjen e produktivitetit, forcimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe nxitjen e digjitalizimit dhe adoptimin e teknologjisë si motorë të rritjes ekonomike.

Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje ndaj drejtuesve dhe stafit të Bankës Botërore për organizimin e këtij diskutimi të rëndësishëm dhe përgatitjen e një analize gjithëpërfshirëse, që ofron dëshmi të vlefshme dhe njohuri praktike mbi tendencat e produktivitetit dhe prioritetet e politikave.

Gjatë ndërhyrjes së tij në temën “Nxitja e adoptimit të teknologjisë dhe digjitalizimit”, Guvernatori Ismaili vuri në dukje se popullsia e re dhe sektori dinamik i Teknologjisë Informative dhe Komunikimit në Kosovë ofrojnë potencial të fortë për të nxitur rritjen e produktivitetit. Ai theksoi se përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe mjeteve digjitale ofron mundësi për ndërtimin e një ekonomie më inovative, të orientuar drejt shërbimeve dhe bazuar në dije.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) që përbëjnë shtyllën e ekonomisë së Kosovës për tejkalimin e sfidave që lidhen me adoptimin e teknologjive të reja, si mungesa e financimit, aftësive dhe infrastrukturës. Ai theksoi nevojën për masa të synuara që promovojnë aftësitë digjitale, tregtinë elektronike dhe qasjen në financa digjitale.

Nga këndvështrimi i sektorit financiar, Guvernatori Ismaili vuri theksin në rëndësinë e transformimit digjital gjithëpërfshirës, përmes investimeve në aftësi digjitale dhe shërbime publike digjitale, për të siguruar që të grupet e popullsisë të përfitojnë në mënyrë të barabartë.

Ngjarja përfundoi me shkëmbime konstruktive dhe ide konkrete për mënyrat se si të rritet produktiviteti dhe konkurrueshmëria në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në panelin e nivelit të lartë të FMN-së për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në tranzicion Guvernatori Ismaili merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Letrës së Qëllimit ndërmjet pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bankën e Italisë për projektin e pagesave të shpejta – TIPS Clone