Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, pati nderin të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të ndërrimit të udhëheqjes në Bankën Kombëtare të Austrisë (Oesterreichische Nationalbank – OeNB), nga Guvernatori z. Robert Holzmann te Guvernatori i sapoemëruar z. Martin Kocher.

Ngjarja e nivelit të lartë mblodhi drejtues të lartë të shtetit austriak, përfshirë Kancelarin Federal dhe Ministrin e Financave, si dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, ndër ta anëtarja e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe guvernatorë të bankave qendrore nga Franca, Sllovenia, Kosova dhe Sllovakia. Pjesëmarrja e guvernatorëve të pranishëm u përshëndet zyrtarisht, përfshirë edhe ajo e Guvernatorit Ismaili.

BQK dhe OeNB kanë një partneritet afatgjatë në fusha te ndryshme si stabiliteti financiar, hulumtimit kërkimor dhe ngritjes së kapaciteteve, me një traditë në shkëmbimin e ekspertizës dhe praktikave më të mira. Të dy institucionet po ashtu bashkëpunojnë ngushtë si pjesë e së njëjtës konstituencë në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe në Grupin e Bankës Botërore, duke siguruar dialog e koordinim të vazhdueshëm në nivel ndërkombëtar. Ky bashkëpunim u nderua më tej kur BQK pati nderin të mirëpriste Guvernatorin Holzmann si folës kryesor në ceremoninë e 25-vjetorit të saj dhe konferencën e vitit të kaluar.

Me këtë rast, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer me OeNB-në, duke nënvizuar rëndësinë e partneriteteve të tilla për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e mandatit të bankës qendrore. Ai po ashtu i uroi sukses Guvernatorit Kocher në mandatin e tij, duke rikonfirmuar përkushtimin e BQK-së për të thelluar bashkëpunimin në funksion të stabilitetit financiar rajonal, integrimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Guvernatori Ismaili takohet me z. Sebastian Sosa, Përfaqësues Rajonal Rezident për Ballkanin Perëndimor në FMN në Vjenë Guvernatori Ismaili takohet me z. Helmut Ettl, Drejtor i Autoritetit të Tregut Financiar të Austrisë