Gjatë vizitës së tij zyrtare, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, u takua me z. Sebastian Sosa, Përfaqësues Rajonal Rezident për Ballkanin Perëndimor në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), në zyrën e Fondit në Vjenë, që mbulon edhe Republikën e Kosovës. Diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit dhe reformat në vazhdim në sektorin financiar të Kosovës, përfshirë asistencën teknike në fusha të ndryshme brenda mandatit të BQK-së.

Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit të ekonomisë dhe sektorit financiar, me fokus në mbikëqyrjen bankare dhe të sigurimeve, mekanizmat e përmbylljes, politikën makroprudenciale, infrastrukturën e pagesave, digjitalizimin e sektorit financiar dhe reformat tjera kryesore që janë në zhvillim.

Diskutimet po ashtu adresuan disa projekte kryesore për sektorin financiar dhe iniciativa rregullative të mbështetura nga FMN-ja. Këto përfshinin forcimin e funksionit të Mbikëqyrjes së BQK-së përmes përafrimit me standardet ndërkombëtare dhe qasjet për vlerësimin e elementeve kryesore të rrezikut brenda Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), zbatimin e Shtesave Kundërciklike të Kapitalit për të gjitha bankat si pjesë e ndryshimeve të rregullores për mjaftueshmërinë e kapitalit, si dhe progresin në kornizën rregullative për Kripto-asetet pas konsultimeve me ekipin e FMN-së.

Më tej, agjenda përfshiu avancimin e kornizës për Asistencën Emergjent për Likuiditet (ELA), zbatimin e rekomandimeve nga Vlerësimi i Masave Mbrojtëse të FMN-së, përfshirë hartimin e ndryshimeve të sugjeruara të Ligjit për Bankën Qendrore, si dhe projektin më të ri të Kodit të Transparencës së Bankës Qendrore (CBT), i cili do të elaborohet më tej gjatë Takimeve Vjetore të ardhshme të FMN-së.

Takimi gjithashtu theksoi iniciativat e asistencës teknike  të FMN-së, përfshirë projektin më të ri nga Instituti për Zhvillimin e Kapaciteteve i FMN-së për modelimin makroekonomik dhe dizajnimin e skenarëve, misionin vijues nën Shqyrtimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR) mbi mbikëqyrjen bankare dhe stabilitetin financiar, si dhe asistencën e fundit të specializuar teknike në menaxhimin e rrezikut, sigurinë kibernetike dhe zbatimin e brendshëm të inteligjencës artificiale.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së, duke nënvizuar rolin kyç të asistencës teknike dhe ndërtimit të kapaciteteve në zbatimin me sukses të këtyre projekteve strategjike. Ai theksoi se këto reforma do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit financiar të Kosovës.

Z. Sosa rikonfirmoi përkushtimin e FMN-së për të mbështetur BQK-në në përmbushjen e mandatit të saj, veçanërisht në avancimin e reformave të sektorit financiar, dhe theksoi gatishmërinë e Fondit për të vazhduar ofrimin e asistencës teknike dhe mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve.

Të dy palët u pajtuan të ruajnë një bashkëpunim të ngushtë dhe nivel të lartë transparence për të siguruar zbatimin e suksesshëm të reformave në vazhdim në të gjithë sektorin financiar.

Guvernatori Ismaili takohet me znj. Xiaoqing Yu, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore në Vjenë Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të menaxhmentit në Bankën Kombëtare të Austrisë (OeNB)