Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar edicionin e 21-të të Raportit të Stabilitetit Financiar (RSF), i cili paraqet një vlerësim të detajuar dhe të bazuar mbi zhvillimet më të fundit në sistemin financiar të vendit, sfidat me të cilat përballet si dhe perspektivat për periudhën e ardhshme.

Raporti konfirmon qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit financiar të Kosovës, mbikëqyrjen prudente rregullative dhe praktikat efektive të menaxhimit të rrezikut. Megjithatë, këto arritje mbeten të ekspozuara ndaj pasigurive ekonomike globale, duke kërkuar një vëmendje të vazhdueshme.

Ekonomia e Kosovës u rrit me 4.4% në vitin 2024, e mbështetur nga konsumi privat, investimet dhe eksportet. Norma vjetore e inflacionit zbriti në nivelin prej 1.6 %, kryesisht si rezultat i uljes së çmimeve të ushqimeve dhe mallrave të importuara. Për vitin 2025, BQK parashikon një rritje ekonomike prej 4.1% dhe një normë mesatare të inflacionit prej 3.3%, të nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe investimet.

Sektori fiskal shënoi performancë të qëndrueshme, me deficit minimal dhe ulje të raportit të borxhit publik ndaj BPV-së. Megjithatë, thellimi i deficitit të llogarisë rrjedhëse, si dhe trendet e remitancave dhe të investimeve të huaja direkte mbeten sfida strukturore që kërkojnë vëmendje dhe monitorim të shtuar.

Sistemi financiar i Kosovës vazhdoi zgjerimin në vitin 2024, duke përforcuar rolin e tij në mbështetje të ekonomisë vendore. Sektori bankar shënoi rritje të shpejtë të kreditimit prej 18.3%, e nxitur nga kërkesa e lartë për financim nga ekonomitë familjare dhe bizneset, si dhe nga përmirësimi i kushteve kreditore. 

Treguesit e qëndrueshmërisë financiare mbeten brenda kërkesave rregullative. Rezultatet e stres-testeve edhe nën skenarë të rënduar, tregojnë se sektori bankar është i qëndueshëm ndaj goditjeve makroekonomike dhe financiare, si rezultat i kapitalizimit dhe likuditetit adekuat sikurse parashihet me kornizën ligjore dhe rregullative të BQK-së. Likuiditeti mbetet në nivele të qëndrueshme, i mbështetur nga rritja e depozitave të sektorit privat.

Politika makroprudenciale e BQK-së mbetet një instrument i rëndësishëm, i orientuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar ndaj goditjeve të brendshme dhe të jashtme. BQK do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet ekonomike dhe financiare, duke ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Ky raport përbën një kontribut të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar, rritjen e transparencës, informimin e publikut dhe nxitjen e debatit profesional mbi çështje me rëndësi për ekonominë dhe sistemin financiar të vendit.

Raporti i plotë është i disponueshëm në faqen zyrtare të BQK-së: [BQK_FSR_21.pdf (bqk-kos.org)]

Guvernatori i BQK-së priti në takim drejtoreshën e re të Bankës Botërore për Kosovë Publikimi i statistikave për BQK-në (pasqyra, bilanci i gjendjes dhe asetet rezervë) për korrik 2025