Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka riafirmuar përkushtimin e saj të plotë për modernizimin e sistemit kombëtar të pagesave dhe integrimin e tij në infrastrukturën financiare evropiane, në mbledhjen e parë për vitin 2025 të Këshillit Kombëtar të Pagesave, të kryesuar nga Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, z. Dardan Fusha.

Në hapje të takimit u mbajtën fjalë përshëndetëse nga Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, përfaqësuesi i Bankës Botërore, z. Matija Laco, përfaqësuesi i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), z. Visar Perani, dhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave, z. Petrit Balija, të cilët theksuan rëndësinë strategjike të këtyre reformave për zhvillimin ekonomik dhe përfitimet për qytetarët. Mbështetja institucionale e BQK-së u reflektua edhe përmes pjesëmarrjes së Kryetarit të Bordit, z. Bashkim Nurboja, dhe Zëvendësguvernatorit z. Milot Cakaj.

Guvernatori Ismaili, në fjalën e tij hyrëse, theksoi hapat strategjikë të ndërmarrë nga BQK drejt modernizimit të sistemit të pagesave dhe integrimit të plotë në tregun evropian, në përputhje me planin strategjik institucional. Ai potencoi se ky proces përbën jo vetëm një reformë teknike, por një transformim të thellë strukturor që përkon me vizionin e integrimit evropian dhe rritjes së konkurrueshmërisë. Në këtë drejtim, ai prezantoi miratimin e kornizës ligjore dhe rregullative, përfshirë tre ligje thelbësore (ligji për bankat, ligji për shërbimet e pagesave dhe ligji për parandalimin e pastrimit të parave), si dhe mbi 20 rregullore që sigurojnë përputhshmëri me standardet e BE-së.

U theksua se procesi i para-aplikimit për anëtarësim në SEPA është përmbyllur në dhjetor 2024, ndërsa BQK po vazhdon me angazhime intensive në nivele rajonale dhe evropiane, për të siguruar përgatitjen e duhur të sektorit financiar për qasje në skemat SEPA. Pavarësisht përparimit të vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë, përfundimi i vlerësimit nga Komisioni Evropian është shtyrë për shkak të shqyrtimit kushtetues të ligjeve të miratuara. BQK pret përmbylljen pozitive të këtij procesi në një afat të afërt.

Sipas vlerësimeve aktuale, anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë përfitime direkte prej mbi 55 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset e Kosovës, përmes uljes së kostove të transfereve, rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të kushteve të tregut.

Në përputhje me këtë vizion, BQK ka nënshkruar në janar 2025 një Letër Qëllimi me Bankën e Italisë dhe tri banka qendrore të rajonit për zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta – “TIPS Clone”. Ky është një hap historik që e vendos Kosovën në infrastrukturën më të avancuar të pagesave të menaxhuar nga Banka e Italisë për llogari të Eurosistemit.

Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet teknologjike të reja, përfshirë përdorimin e kodeve QR, funksionalitetin “Request to Pay”, përdorimin e identifikuesve alternativë dhe përzgjedhjen e rrjeteve teknologjike, që pritet të nxisin digjitalizimin dhe të reduktojnë përdorimin e parasë së gatshme.

Sa i përket institucioneve financiare jo-bankare, BQK ka ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë zbatimin e standardit IBAN, miratimin e udhëzuesve për QR kode, integrimin e Regjistrit të Llogarive dhe Kredive me platformën e-Kosova dhe ndërlidhjen e sistemit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës me Regjistrin e Llogarive.

Reformat e ndërmarra synojnë krijimin e një infrastrukture të sigurt dhe moderne që mundëson edhe integrimin e Kosovës në platformat ndërkombëtare si Apple Pay dhe PayPal, të cilat kërkojnë standarde të larta teknologjike dhe rregullative.

Megjithatë, procesi përballet me sfida të konsiderueshme si përshtatja teknologjike e sektorit financiar, garantimi i sigurisë kibernetike, përputhshmëria me kërkesat e autentifikimit të fortë dhe rritja e ndërgjegjësimit publik, veçanërisht në zonat rurale dhe për grupet e ndjeshme. Komunikimi efektiv me publikun dhe menaxhimi i pritjeve janë gjithashtu thelbësorë.

BQK theksoi nevojën që sektori financiar të investojë në teknologji dhe kapacitete njerëzore, të bashkëpunojë ngushtë me rregullatorin gjatë fazave të zbatimit dhe të kontribuojë në edukimin financiar të qytetarëve. Gjithashtu, u paraqit nevoja e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional me sektorin publik për të mundësuar pranimin e pagesave elektronike në kuadër të agjencive dhe zyrave të shërbimeve fizike, por edhe në nxjerrjen e statistikave dhe mundësimin e validimit të dhënave të klientëve.

Të gjitha këto përpjekje janë në funksion të një sistemi pagesash më të sigurt, më efikas dhe më transparent, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Pagesave – një trup këshillues ndërinstitucional që përfshin përfaqësues nga sektori financiar, ai publik, institucional dhe partnerët ndërkombëtarë.

Me këtë rast, BQK shpreh mirënjohjen për të gjithë partnerët vendor dhe ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë, në veçanti Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare për ndihmën e pakursyer në hartimin dhe zbatimin e këtyre reformave.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në Forumin e XII Rajonal dhe në Panelin e Guvernatorëve: SEPA si një urë drejt integrimit në tregun unik të Bashkimit Evropian, me përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset Mbahet Punëtoria Përgatitore për diskutimin e aspekteve teknike për anëtarësimin në SEPA – BQK e përkushtuar për avancimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike