Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Bankën Botërore, organizoi sot një punëtori përgatitore me fokus në diskutimin e aspekteve teknike për anëtarësimin në Zonën e Pagesave në Euro (SEPA), në vazhdën e angazhimeve të Këshillit Kombëtar të Pagesave.

Punëtoria u hap me fjalë përshëndetëse nga Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, znj. Martha Licetti, Menaxhere e Praktikës për Financë, Konkurrueshmëri dhe Investime në Bankën Botërore, të cilët theksuan rëndësinë e këtij procesi për stabilitetin dhe modernizimin e sistemit financiar të Kosovës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë në këtë drejtim. Gjithashtu, nga ana e folësve u theksua nevoja për të pasur përgatitje me planifikime adekuate, komunikim efektiv mes pjesëmarrësve të sistemit të pagesave dhe publikut të gjerë, për pritshmeritë dhe përfitimet për publikun.

Kjo ngjarje pati në përbërje përfaqësues të partnerëve nga Bashkimi Evropian, si Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) dhe Banka Qendrore Evropiane, krahas ekspertëve të Bankës Botërore, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e bankave dhe institucioneve financiare jobankare.

Me prezantime dhe diskutime kontribuuan z. Bernardo Correia Barradas, z. Peter Møller Jensen dhe z. Claudio Ceresani nga Banka Botërore, znj. Sivlia Di Lillo nga Këshilli Evropian të Pagesave (EPC), z. Fabrizio Dinacci nga Banka Qendrore Evropiane, Claudio Ceresani dhe përfaqësues të bankave dhe institucioneve tjera ndërkombëtare.

Diskutimet e punëtorisë u fokusuan në identifikimin e kërkesave teknike, operacionale dhe ligjore për ndërlidhjen me SEPA, si një hap thelbësor drejt krijimit të një infrastrukture pagesash moderne, të qëndrueshme dhe të përputhshme me standardet evropiane për pagesa të sigurta dhe efikase.

Pjesëmarrësit nga institucionet financiare patën rastin dhe mundësinë të angazhohen në diskutime konkrete lidhur më procesin, kërkesat dhe përvojat, duke kontribuar kështu në ndërtimin e kapaciteteve njerëzore së bashku me ato teknike, si fazë përgatitore bazuar në përvojat e vendeve tjera, të cilat u paraqiten sot nga ekspertet prezent që kanë kaluar këtë proces me sukses.

Derisa u vlerësua lart progresi i arritur në këtë drejtim, dhe u njoh puna e kryer deri tani nga BQK si prijëse e procesit, u konstatua se punëtoria e tillë ishte moment kyç në përgatitjen për anëtarësim në SEPA dhe një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive teknike dhe mbështetjen praktike në rrugëtimin drejt një sistemi të avancuar dhe të integruar të pagesave në Kosovë.

Mbahet Këshilli Kombëtar i Pagesave: Diskutohen reformat për modernizimin e sistemit kombëtar të pagesave dhe integrimin në SEPA, me ndikime të gjera pozitive në ekonomi BQK organizon Punëtorinë për Edukimin Financiar dhe Komunikimin Digjital