Banka Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Bankën Botërore – Qendrën për Reforma në Raportimin Financiar dhe të Qëndrueshëm (CFRR), po organizon punëtorinë përgatitore me temën “Fuqizimi i Raportimit Financiar në Sektorin e Sigurimeve: Duke marrë parasysh kërkesat e SNRF-së, përfshirë SNRF 17”.

Nisja e punimeve të punëtorisë, u hap me fjalimin përshëndetës nga Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, përfaqësuesi i Bankës Botërore, z. Besart Myderrizi, të cilët nënvizuan rëndësinë e partneritetit institucional në avancimin e kornizës rregullative. Konsulenti ndërkombëtar i angazhuar nga Banka Botërore për këtë projekt, z. Scott, sjell ekspertizë të thelluar mbi sfidat dhe qasjet për zbatimin efektiv të SNRF 17.

Kjo punëtori shënon një hap shtesë drejt përgatitjes për zbatimin e Standardit të Ri të Raportimit Financiar – SNRF 17 “Kontratat e Sigurimit”, i cili, krahas me kërkesat e Solvencës II, përfaqësojnë një nga reformat më gjithëpërfshirëse në historinë e raportimit financiar në sektorin e sigurimeve, të cilat pritet të nisin zbatimin nga viti 2026.

Punëtoria përgatitore ka për qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit të BQK-së, kompanive të sigurimeve dhe autoriteteve të tjera përkatëse që janë të përfshira në zbatimin e standardit ndërkombëtar SNRF 17, përmes shkëmbimit të njohurive praktike dhe përvojave nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, për një planifikim të duhur për zbatim efektiv.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë përfaqësues nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i Shqipërisë, Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar (KKRF), kompanitë e sigurimeve, shoqatat e kontabilistëve të certifikuar, si dhe stafi i BQK-së në funksion të përfitimit të njohurive më të avancuara për një tranzicion të suksesshëm drejt SNRF 17.

Programi është mbështetur nga Banka Botërore dhe institucionet kontribuuese në kuadër të Programit për Përmirësimin e Kontabilitetit, Auditimit dhe Raportimit të Qëndrueshmërisë (EAASURE), përfshirë Ministrinë e Financave të Austrisë, Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADA). Ky aktivitet zhvillohet në përputhje me objektivat strategjike të BQK-së, të cilët përfshijnë: forcimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit financiar përmes përmirësimit të kornizës rregullatore dhe mbikëqyrëse; rritjen e kapaciteteve profesionale në sektorin e sigurimeve; si dhe modernizimin e infrastrukturës së tregut për të nxitur konkurrencën, transparencën dhe besimin e investitorëve dhe qytetarëve.

BQK shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në funksion të ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe profesionale, ndërsa mbetet e përkushtuar për të udhëhequr këtë proces reformues në funksion të zhvillimit të mëtejmë të tregut të sigurimeve dhe stabilitetit financiar.

Guvernatori Ismaili merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Rritjen dhe Qëndrueshmërinë Ekonomike në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore Guvernatori Ismaili takoi ekspertët e lartë të FMN-së të angazhuar në zbatimin e Kodit të Transparencës: BQK mbetet e përkushtuar në avancimin e standardeve ndërkombëtare që promovojnë transparencën përmes komunikimit