Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me Zëvendësguvernatoren znj. Nesrin Shileku-Shala dhe bashkëpunëtorët e tij, zhvilloi një takim me ekspertët e lartë të angazhuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga z. Arkadiusz Majewski – shef i misionit dhe ekipit të tij, në kuadër të asistencës teknike të FMN-së që ka për qëllim rishikimin dhe mbështetjen për zbatimin e Kodit të Transparencës për Bankat Qendrore, në vazhdën e përkushtimit të BQK-së për qeverisje të mirë dhe transparencë institucionale.

Guvernatori Ismaili falënderoi FMN-në për mbështetjen në ndërtimin e kapaciteteve përmes asistencës teknike, duke theksuar rëndësinë e avancimit të proceseve që lidhen me zbatimin e standardeve ndërkombëtare të transparencës përmes komunikimit efektiv në funksionimin e bankave qendrore. Ai gjithashtu prezantoi zhvillimet kryesore në qeverisjen e BQK-së dhe reformat institucionale të ndërmarra.

Nga ana tjetër, shefi i misionit të FMN-së vlerësoi lart bashkëpunimin dhe nivelin e angazhimit të stafit të BQK-së në fazat paraprake të këtij procesi, duke përfshirë vetëvlerësimin institucional dhe organizimin e takimeve me palët e interesit.

Me kërkesë të BQK-së, gjatë qëndrimit në Kosovë, misioni i FMN-së do të shqyrtojë në detaje dizajnin dhe funksionimin e praktikave që mundësojnë transparencën e BQK-së, përfshirë komunikimin e politikave, aktiviteteve dhe rezultateve të saj, si dhe marrëdhëniet me institucionet shtetërore, sektorin financiar dhe publikun.

Ky projekt synon të ndihmojë bankat qendrore në vlerësimin dhe përmirësimin e praktikave të transparencës institucionale, bazuar në Kodin e FMN-së për Transparencë në Bankat Qendrore. Qëllimi është të forcohet angazhimi me palët e interesit, të rritet efektiviteti i politikave monetare dhe financiare, dhe të promovohet llogaridhënia. Projekte të ngjashme janë realizuar edhe në rajon, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Pjesëmarrja e BQK-së në këtë projekt përbën dëshmi të qartë të përkushtimit për të avancuar komunikimin, transparencën dhe llogaridhënien institucionale, duke ndërtuar besimin e publikut dhe forcimin e standardeve në përputhje me Planin Strategjik dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për bankat qendrore.

Mbahet punëtoria përgatitore për zbatimin e Raportimit Financiar në Sektorin e Sigurimeve – SNRF 17: BQK e përkushtuar drejt avancimit të standardeve të raportimit financiar Guvernatori Ismaili merr pjesë në Forumin e XII Rajonal dhe në Panelin e Guvernatorëve: SEPA si një urë drejt integrimit në tregun unik të Bashkimit Evropian, me përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset