Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të nivelit të lartë me temë “Rritja dhe Qëndrueshmëria Ekonomike në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) në një botë më të fragmentuar”, të organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë (HNB) në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në prag të konferencës, Guvernatori Ismaili mori pjesë në një takim me dyer të mbyllura ndërmjet guvernatorëve të bankave qendrore nga rajoni dhe më gjerë me Drejtoreshën Menaxhuese të FMN-së, znj. Kristalina Georgieva. Ky takim i nivelit të lartë shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e mendimeve mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe sfidat që sjell fragmentimi global, si dhe për thellimin e bashkëpunimit rajonal. Me këtë rast, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet dhe reformat kyçe të ndërmarra në sektorin financiar të Kosovës dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së, veçanërisht në përmbylljen me sukses të programeve të bashkëpunimit dhe vlerësimin pozitiv në rishikimin e fundit.

Konferenca mblodhi drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, guvernatorë të bankave qendrore, ministra të financave, akademikë dhe përfaqësues të sektorit privat, duke krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse për diskutim mbi rrugët për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe forcim të qëndrueshmërisë në rajon. Diskutimet tematike u përqendruan në përshtatjen e politikave makroekonomike, fuqizimin e rolit të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore në Tregun Unik Evropian, reformat strukturore për përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit, si dhe politikat e punësimit dhe të ardhurave në epokën e inteligjencës artificiale.

Në margjinat e konferencës, Guvernatori Ismaili zhvilloi takime bilaterale me përfaqësues të lartë të institucioneve partnere, përfshirë z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN, si dhe guvernatorë dhe ministra të financave nga vende të ndryshme.

Në një takim të veçantë me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Kroacisë, z. Boris Vujčić, si nikoqir, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë nga Banka e Kroacisë në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian për reformat në menaxhimin e parasë së gatshme dhe luftën kundër falsifikimit të parasë.

Pjesëmarrja në këtë konferencë të nivelit të lartë nënvizon përkushtimin e BQK-së për forcimin e stabilitetit financiar, avancimin e reformave strukturore dhe zhvillimin e politikave ekonomike në përputhje me dinamikat rajonale dhe globale në funksion të stabilitetit financiar.

Publikimi i statistikave të Bilancit të Pagesave për muajin mars 2025 Mbahet punëtoria përgatitore për zbatimin e Raportimit Financiar në Sektorin e Sigurimeve – SNRF 17: BQK e përkushtuar drejt avancimit të standardeve të raportimit financiar