Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve, prezanton statistikat e Bilancit të Pagesave për muajin shkurt 2025.

Bilanci i pagesave –gjatë dy muajve të parë të vitit 2025 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë 175.63 milion euro, që paraqet rritje prej 20.47% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse është kryesisht rezultat i thellimit të deficitit në bilancin tregtar.

Bilanci tregtar – i mallrave deri në fund të muajit shkurt 2025 shënoi deficit prej 791.50 milionë euro, që paraqet rritje prej 21.48% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti gjatë kësaj periudhe arriti vlerën 129.88 milion euro, duke shënuar rënie prej 1.01%, ndërsa importi i mallrave arriti në 921.38 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 17.71% krahasuar me dy muajt e parë të vitit paraprak.

Llogaria e shërbimeve –e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, në fund të shkurtit 2025 arriti vlerën 281.74 milionë euro, që paraqet nivel më të lartë të bilancit pozitiv për 32.74% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

Të ardhurat parësore – deri në fund të shkurtit 2025 shënuan bilanc pozitiv prej 50.83 milionë euro, krahasuar me 20.53 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, duke reflektuar një rritje prej 147.63%.

Të ardhurave dytësore – mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Gjatë dy muajve të parë të vitit 2025, kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 283.30 milionë euro, e cila paraqet rritje prej 3.77% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Remitancat – përbëjnë kategorinë kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore. Gjatë muajve janar dhe shkurt 2025, vlera e tyre arriti në 174.10 milionë euro, duke shënuar rritje prej 1.25% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Sipas vlerësimeve preliminare, remitancat për muajin mars 2025 ishin 117.5 milion euro, duke arritur kështu vlerën e përgjithshme për tre muajt e parë të vitit 2025 në 291.65 milionë euro. Edhe gjatë muajit mars, pjesa më e madhe e remitancave është pranuar përmes IFJB-së (66.08%), pasuar nga bankat komerciale (13.04%) dhe kanalet tjera (20.87%).

Asetet në llogarinë financiare – gjatë dy muajve të parë të viti 2025 shënuan bilanc pozitiv prej 1.71 milionë euro, ndërsa, detyrimet financiare shënuan bilanc pozitiv në vlerë 88.88 milionë euro.

Investimet Direkte në Kosovë – gjatë kësaj periudhe, arritën vlerën 161.57 milion euro, vlerë pothuajse e njëjtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar. Në anën tjetër, investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 34.97 milionë euro, duke përfaqësuar rritje prej 28.64% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Asetet rezervë –për dy muajt e parë të vitit 2025 shënuan bilanc pozitiv prej 16.59 milionë euro, krahasuar me 5.83 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Rritja e aseteve rezervë i atribuohet rritjes së depozitave në vlerë prej 33.57 milionë euro, ndërsa letrat me vlerë shënuan rënie prej 16.98 milionë euro, si rezultat i maturimit të këtyre investimeve.

Të dhënat e plota mund t’i gjeni në këtë lidhje 🔗 https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/

Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori Ismaili përfundon me sukses Takimet Pranverore 2025 të FMN-së dhe BB-së në Washington D.C. Guvernatori Ismaili takoi Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj