Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është e përkushtuar të mbështesë një të ardhme digjitale të shërbimeve financiare me përfitime për të gjithë në vend dhe BQK është plotësisht e angazhuar për të mbështetur transformimin digjital, duke e vendosur digjitalizimin në qendër të vizionit të saj, është shprehur Guvernatori z. Ahmet Ismaili.

Guvernatori Ismaili në fjalën përshëndetëse në konferencën “Navigimi i transformimit digjital të sektorit financiar” ka shtuar se BQK-ja po krijon një ekosistem financiar dinamik që do të nxisë rritjen ekonomike afatgjate, që gjithsesi synon fuqizimin e mbrojtjes së të dhënave, sigurinë kibernetike dhe parandalimin e mashtrimeve.

Ai ka potencuar se transformimi digjital është një objektiv i Planit Strategjik të BQK-së, që ka për synim nxitjen e financave digjitale me përfitime për të gjitha sektorët dhe gjithëpërfshirjen financiare, ku çdo individ dhe biznes në Kosovë mund të ketë qasje të lehtë dhe të sigurt, që të përfitojë nga shërbimet financiare digjitale.

“BQK-ja, ndër vite, ka vendosur rregullore që mbështesin digjitalizimin, përfshirë rregulloret për licencimin dhe mbikëqyrjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave, të kompanive FinTech, si dhe për të siguruar që ofruesit e rinj të pagesave të kenë qasje në treg. Po ashtu, kemi përgatitur ligje dhe kemi miratuar disa rregullore kyçe që nxisin zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale, disa prej të cilave lidhen me rrugën tonë integruese dhe aplikimin në SEPA”, theksoi Guvernatori Ismaili.

Tutje, ai ka treguar se me mbështetjen e Sekretariatit Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), BQK dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) po punojnë së bashku për përmirësimin e infrastrukturës, promovimin e iniciativave të bankimit të hapur (Open Banking), krijimin e hapësirave rregullatore për inovacion (Innovation Hub), si dhe ngritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës në shërbimet financiare digjitale.

Në përmbyllje të adresimit të tij, Guvernatori Ismaili tregoi se BQK-ja në bashkëpunim me Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit (ASHI), ka bërë përparime të rëndësishme në përmirësimin e qasjes publike në shërbime, duke i integruar dy shërbime — Regjistri i Llogarive Bankare (RLLB) dhe Regjistri i Kredive të Kosovës (RKK) — në platformën kombëtare eKosova, gjë që do t’iu mundësojë qytetarëve që të verifikojnë lehtësisht llogaritë e tyre me institucionet financiare dhe të kenë qasje në raportet e tyre individuale të kreditit, pa pasur nevojë të bëjnë kërkesa fizike në BQK. Ndërsa përmendi edhe zhvillimet në proces me institucionet shtetërore lidhur me mundësimin e validimit të të dhënave dhe adresave të qytetarëve për llogaritë e hapura në institucione financiare në mënyrë elektronike, për të zëvendësuar aq sa mundet, procesin e përditësimit fizik të tyre.

Kjo ngjarje me karakter ndërkombëtar u organizua nga ProCredit Bank, ku me fjalë hyrëse u drejtua Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dermaku si dhe z. Zdravko Vukić – Zëvendëskryesues i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, njëherit Drejtor i Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Kroacisë. Gjatë konferencës, në panelin e organizuar, mori pjesë Zëvendësguvernatori z. Dardan Fusha, i cili paraqiti aktivitetet e BQK-së në këtë drejtim, krahas pjesëmarrësve vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë Shefen e Seksionit Politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. AnnaCarin Platon.  

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmbylli “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2025” Publikimi i statistikave të bankave komerciale për muajin shkurt 2025