Nivel rekord i depozitave prej 4 miliardë euro dhe rimëkëmbje e plotë e kreditimit të sektorit bankar

04/08/2020

Sipas të dhënave të fundit të raportuara që përfshijnë periudhën deri me 1 gusht 2020, niveli i depozitave tashmë ka kaluar vlerën prej 4 miliardë euro – vlerën më të lartë historike që nga themelimi i sistemit bankar në Kosovë. Në kontekst të strukturës, akoma rreth 60% e depozitave janë depozita pa afat, 27% depozita me afat dhe 13% depozita të kursimit.

Rritja e depozitave në sektorin bankar, me një trend të përshpejtuar gjatë viteve të fundit, pasqyron besimin e klientëve në sektorin bankar, sektor që rregullohet dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Bankat vazhdimisht kanë avancuar platformat e tyre për pagesa dhe klientët tashmë kanë mundësi që të aplikojnë bankingun elektronik. Avancimet në fushën rregullative si dhe mbikëqyrja profesionale, e përafërt dhe dinamike, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e besimit të klientëve ndaj sektorit bankar.

Përveç depozitave, kreditimi bankar ka shënuar rimëkëmbje të plotë duke arritur nivelet e kreditimit të periudhës së njejtë të vitit të kaluar. Kreditë e reja të lëshuara nga bankat vetëm gjatë muajit korrik 2020 kanë arritur vlerën prej 145.0 milionë euro që paraqet vlerë shumë të përafërt me kreditimin e një viti më parë (146.2 milionë euro në korrik 2019) apo edhe duke e tejkaluar mesataren e kreditimit gjatë periudhën korrik 2015 – korrik 2019 (110.1 milionë euro). Rimëkëmbja e kreditimit është reprezentative edhe sa i përket sektorëve, ku rreth 60% e kredive iu janë dhënë bizneseve.