Banka Qendrore e Republikës së Kosovës publikon numrin e 18-të të Raportit të Stabilitetit Financiar (RSF), i cili ofron një pasqyrë të rreziqeve potenciale për stabilitetin financiar në vend, gjithmonë në funksion të sigurimit të objektivit parësor të BQK-së, ruajtjes së stabilitetit financiar përmes identifikimit dhe vlerësimit të rreziqeve që kanosin sistemin financiar dhe infrastrukturën e tij. 

Numri i 18-të i raportit pasqyron një analizë të detajuar rreth zhvillimeve në aktivitetin, performancën, rreziqet dhe infrastrukturën financiare në Kosovë në periudhën janar-dhjetor 2021, si dhe vlerësimin e rreziqeve për periudhën vijuese.

Sistemi financiar përballoi suksesshëm sfidën më të madhe në historinë e funksionimit të tij, të shkaktuar nga kriza pandemike. Si rezultat i përmirësimit të përgjithshëm të situatës pandemike, lehtësimit të masave kufizuese të lëvizjes si dhe masave mbështetëse qeveritare dhe rregullative, ekonomia, respektivisht sistemi financiar në Kosovë shënuan rikuperim të hovshëm në vitin 2021. Sidoqoftë, rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave, e nxitur nga rrethanat e krijuara nga pandemia, si dhe shpërthimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022 kanë krijuar pasiguri të mëdha për të ardhmen duke rritur ndjeshëm rreziqet e funksionit për ekonominë dhe sektorin financiar për periudhën vijuese. Ekspozimi i drejtpërdrejtë i sistemit financiar të Kosovës ndaj Ukrainës dhe Rusisë është tejet i kufizuar; sidoqoftë, rreziqet nga rrethanat e krijuara pritet të barten në mënyrë indirekte përmes efektit në inflacion, efektit në rritjen e kostos së financimit, si dhe përmes efektit në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik. Përderisa ecuria e këtyre zhvillimeve është duke u shoqëruar me pasiguri të larta, sektori bankar në Kosovë ka adaptuar qasje prudente të operimit përkitazi me rrethanat si dhe ka krijuar rezerva të kënaqshme të kapitalit dhe likuiditetit për t’u përballuar me rreziqet e rritura të funksionimit të tij në periudhën në vijim.

Raporti i Stabilitetit Financiar (Nr.18)

Vendimet e Bordit të BQK-së më 4 gusht 2022 Drejtuesit e BQK-së dhe BKS-së takojnë zyrtarët e lartë të Këshillit të Byrove në Bruksel