Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve, prezanton statistikat e Sektorit të Jashtëm për tremujorin e parë të vitit 2025 dhe Bilancit të Pagesave për muajin prill 2025.

Bilanci i pagesave – deri në fund të muajit prill 2025 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 471.92 milionë euro, i cili tregon një rritje prej 7.11% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja e deficitit të llogarisë rrjedhëse vjen kryesisht nga rritja e deficitit në bilancin tregtar.

Bilanci tregtar – në mallra deri në fund të muajit prill 2025 shënoi deficit në vlerë 1.74 miliard euro, i cili është për 20.49% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti gjatë kësaj periudhe arriti vlerën në 278.99 milionë euro, duke përfaqësuar rënie prej 2.85%, ndërsa importi i mallrave arriti vlerën në 2.02 miliardë euro, duke përfaqësuar rritje prej 16.62% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Llogaria e shërbimeve – e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, në fund të muajit prill 2025 shënoi vlerën 510.61 milionë euro, që paraqet nivel më të lartë të bilancit pozitiv për 42.54% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të ardhurat parësore – deri në fund të muajit prill 2025 shënuan bilanc pozitiv prej 131.63 milion euro, i cili në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte vlerë 41.23 milionë euro.

Të ardhurat dytësore – mbeten kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Në fund të muajit prill 2025 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 622.85 milionë euro, i cili paraqet rritje prej 3.54% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Remitancat – janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në prill 2025 shënoi 403.51 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 2.35% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin maj 2025 janë rreth 126.58 milion euro, duke arritur kështu vlerën totale prej 530.08 milionë euro (vlerësim preliminar). Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit maj kanë qenë përmes IFJB me 56.67%, përmes bankave komerciale me 13.91% dhe kanaleve të tjera me 29.42%.

Asetet në llogarinë financiare – deri në fund të muajit prill 2025 kanë shënuar bilanc negativ për 30.87 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë prej 327.34 milionë euro.

Investimet direkte në Kosovë – deri në fund të muajit prill 2025 ishin 276.78 milionë euro, e cila paraqet nivel pothuajse të njëjtë me atë të vitit paraprak (rritje prej 0.42%). Në anën tjetër, investimet direkte jashtë Kosovës shënuan rritje të konsiderueshme prej 93.99%, duke arritur vlerën për katër muajt e parë të vitit 2025 në 111.06 milion euro.

Asetet rezervë – deri në fund të muajit prill 2025 kanë shënuar bilanc pozitiv prej 97.61 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 33.89% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pozicioni i investimeve ndërkombëtare – në tremujorin e parë 2025, u karakterizua nga një rënie e vlerës së aseteve ndërkombëtare prej 110.21 milion euro, ndërkohë që detyrimet ndërkombëtare kanë shënuar rritje prej 134.86 milion euro. Si rezultat, në fund të muajit mars 2025, vlera e përgjithshme e aseteve ndërkombëtare arriti në 8.13 miliardë euro, ndërsa vlera e detyrimeve ndërkombëtare arriti në 10.50 miliardë euro.

Rënies së aseteve ndërkombëtare – në tremujorin e parë të vitit 2025 i kanë kontribuar investimet në letra me vlerë me një zvogëlim prej 17.43 milionë euro, kategoria e investimeve të tjera me 130.14 milionë euro, si dhe asetet rezervë me 36.93 milionë euro. Në anën tjetër, kategoria e investimeve direkte ka shënuar rritje prej 74.29 milionë euro.

Në kuadër të detyrimeve të jashtme – gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, investimet e huaja direkte në Kosovë janë rritur me 169.03 milion euro, ndërsa investimet e tjera janë zvogëluar me 34.17 milionë euro.

Borxhi i jashtëm bruto – i cili përfshin borxhin publik dhe privat, në fund të tremujorit të parë të vitit 2025 arriti në 4.20 miliardë euro, që paraqet rënie prej 29.06 milionë euro krahasuar me tremujorin paraprak. Zvogëlim të borxhit gjatë këtij tremujori kishin të dy sektorët, ai publik dhe privat. Borxhi publik është zvogëluar për 21.53 milionë euro, ndërsa borxhi privat për 7.53 milionë euro.

Borxhi i sektorit publik – në fund të tremujorit të parë 2025 arriti vlerën 934.38 milionë euro duke marrë pjesë me 22.26% në gjithsej borxhin e jashtëm. Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i Qeverisë, i cili në fund të tremujorit të parë 2025 ishte 765.19 milionë euro.

Borxhi i sektorit privat – në tremujorin e parë 2025 arriti vlerën 3.26 miliardë euro. Pjesëmarrësit në borxhin privat janë bankat komerciale (19.66%), kompanitë në relacion të investimeve direkte (29.27%) dhe sektorët tjerë (51.07%).

Të dhënat e plota mund t’i gjeni në këtë lidhje 🔗 https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/

BQK miraton plotësim/ndryshimin e Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus Delegacioni i BQK-së pritet në vizitë zyrtare nga autoritetet e Maltës