Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Raportin Vjetor për vitin 2025, i cili pasqyron angazhimet, zhvillimet dhe arritjet institucionale në funksion të përmbushjes së mandatit të saj për garantimin e stabilitetit financiar, ruajtjen e besimit publik, forcimin e integritetit të sistemit financiar dhe sovranitetit monetar, si dhe qëndrueshmërinë e BQK-së si institucion i pavarur kushtetues.

Raporti konfirmon se ekonomia e Kosovës dhe sistemi financiar kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre, pavarësisht sfidave nga mjedisi i jashtëm ekonomik dhe gjeopolitik. Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2025 shënoi rritje reale prej 3.6%, ndërsa inflacioni arriti në 3.9%. Borxhi publik mbeti në nivel të ulët prej 16.4% të Bruto Produktit Vendor, ndërsa remitencat dhe investimet e huaja direkte vazhduan të mbështesin aktivitetin ekonomik.

Sistemi financiar vazhdoi zgjerimin e qëndrueshëm, me asete që arritën në rreth 14.6 miliardë euro. Sektori bankar mbeti shtylla kryesore e sistemit financiar, duke ruajtur nivele të larta të kapitalizimit dhe likuiditetit. Kreditë arritën në rreth 6.7 miliardë euro, me rritje vjetore prej 14.7%, ndërsa norma e kredive joperformuese mbeti e ulët, rreth 2%, duke dëshmuar cilësi të lartë të portofolit kreditor dhe rezistencë të sektorit ndaj goditjeve të mundshme.

Gjatë vitit 2025, BQK forcoi më tej kornizën makroprudenciale, përfshirë përmes shtesave makroprudenciale të kapitalit dhe avancoi sistemin e sigurimit të depozitave përmes rritjes së kontributit të bankave nëpërmjet premiumeve në FSDK, duke kontribuuar në kapitalizimin e mëtejmë me kontribut në  forcimin e stabilitetit financiar.

BQK intensifikoi mbikëqyrjen e sistemit financiar, duke realizuar 30 ekzaminime në vend në sektorin bankar, të sigurimeve, pensioneve dhe institucionet mikrofinanciare e jobankare, me fokus në menaxhimin e rreziqeve, qeverisjen korporative, sigurinë kibernetike dhe pajtueshmërinë rregullative. Njëkohësisht, u avancua harmonizimi i kornizës rregullative me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë zhvillimin gradual drejt zbatimit të modelit SREP dhe standardeve të avancuara të raportimit FINREP/COREP.

Në fushën e pagesave, viti 2025 u karakterizua nga progres i rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe integrimit financiar evropian. Sistemi Ndërbankar i Pagesave (KIPS) procesoi mbi 21 milionë transaksione me vlerë mbi 27 miliardë euro, ndërsa përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vazhdoi të rritet, përfshirë edhe shërbimet Apple Pay dhe Google Pay. BQK realizoi detyrat drejt anëtarësimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe avancoi projektin për pagesa të menjëhershme përmes TIPS Clone me Bankën e Italisë.

Në funksion të rritjes së transparencës, mbrojtjes së konsumatorit dhe gjithëpërfshirjes financiare, BQK miratoi Rregulloren për Platformën për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare dhe lansoi këtë platformë si instrument konkret për fuqizimin e qytetarëve dhe rritjen e transparencës në tregun financiar.

Në aspektin e inovacionit financiar dhe integritetit të sistemit financiar, u miratua korniza e parë rregullative për kripto-asetet, u ndërmorën hapa për themelimin e Njësisë kundër Falsifikimit dhe u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane (BQE) për mbrojtjen e integritetit të valutës euro në Kosovë. Krahas sigurimit efikas të furnizimit të ekonomisë me para të gatshme, BQK ndërmori masa për formalizimin e ekonomisë, përfshirë tërheqjen nga qarkullimi të kartëmonedhave prej 500 eurove, përkatësisht rreth 170 mijë copë, si dhe rregullimin e transportit ndërkufitar të parasë së gatshme.

Në planin ndërkombëtar, BQK siguroi vazhdimin e linjës së likuiditetit EUREP prej 100 milionë euro nga BQE-ja, ndërsa Kosova u hoq nga Lista e Bankës Botërore për Vendet në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS/FCV). Po ashtu, agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings konfirmoi vlerësimin kreditor sovran “BB-”, duke reflektuar stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e besimit ndërkombëtar ndaj vendit. Gjatë vitit, BQK forcoi gjithashtu praninë në forume rajonale dhe ndërkombëtare dhe zgjeroi bashkëpunimin përmes asistencave të ndryshme teknike, përfshirë edhe avancimin e menaxhimit të rezervave ndërkombëtare, në mbështetje të reformave, kapaciteteve institucionale dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare.

Raporti Vjetor përfshin edhe pasqyrat financiare të audituara të BQK-së për vitin 2025, të cilat kanë marrë opinion të pamodifikuar nga auditori i jashtëm. Për vitin 2025, BQK realizoi rezultat financiar pozitiv prej 24 milionë euro, ndërsa në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, 50% e fitimit është ndarë për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe 50% për rezervat e BQK-së, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e qëndrueshmërisë financiare të institucionit dhe kontributin për financa publike.

BQK shpreh falënderim të veçantë për stafin e saj për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e vazhdueshme në përmbushje të mandatit institucional, organet drejtuese dhe mbikëqyrëse, si dhe për partnerët vendorë institucional dhe ndërkombëtarë për bashkëpunimin, mbështetjen dhe kontributin e tyre në avancimin e reformave dhe objektivave strategjike të BQK-së.

BQK mbetet e përkushtuar të vazhdojë me qasje të kujdesshme, reformuese dhe të orientuar drejt standardeve evropiane, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, forcimit të integritetit të sistemit financiar dhe mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka Qendrore e Francës nënshkruajnë Konventë Bashkëpunimi për avancimin e edukimit financiar në Kosovë BQK pjesëmarrëse në Takimin e Konstituencës së FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore në Pragë