Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, z. Kujtim Munishi, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjatë takimit u theksua nevoja për rritjen e efikasitetit në identifikimin dhe adresimin e sfidave në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, luftës kundër parave të falsifikuara dhe veprave të tjera penale.

Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm, Guvernatori Ismaili e informoi Koordinatorin Munishi mbi zhvillimet e fundit në sektorin bankar, duke përfshirë reformat e ndërmarra nga BQK-ja për forcimin e funksionit mbikëqyrës financiare, integritetit të sistemit financiar, edukimit financiar si dhe përmirësimit të qasjes në financa të sigurta ne gjithë territorin e vendit.

Në takim u trajtuan edhe sfidat e përbashkëta të evidentuara në praktikë gjatë ushtrimit të funksioneve institucionale, në kuadër të rolit të pavarur që kanë të dy institucionet. Palët theksuan rëndësinë e adresimit të këtyre sfidave dhe të promovimit të efikasitetit institucional.

Në këtë kontekst, u shpreh pajtueshmëria për intensifikimin e përpjekjeve në luftën kundër krimit kibernetik, praktikave të palejuara dhe skemave tjera te dëmshme, përmes shkëmbimit të rregullt të informatave dhe harmonizimit të qasjeve strategjike, në interes të sistemit financiar dhe për mbrojtjen e konsumatorëve. U përmend nevoja edhe e koordinimit ndërinstitucional lidhur me legjislacionin e kripto-aseteve, si dhe inovacioneve tjera, si në aspekt të edukimit financiar mbi rreziqet, ashtu edhe të parandalimit të praktikave të pashëndetshme. 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës riafirmon përkushtimin e saj për bashkëpunim institucional, me synim zbatimin e mandatit të saj dhe përmbushjen e objektivave në shërbim të interesit publik.

BQK organizon Punëtorinë për Edukimin Financiar dhe Komunikimin Digjital Guvernatori Ismaili priti në takim delegacionin e lartë të Bankës Kombëtare të Austrisë (OeNB)