Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili priti në takim Shefin e Misionit të Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë, Sh. T. Eric Dietz.

Në këtë takim, Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Dietz lidhur me zhvillimet kryesore dhe reformat në sektorin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, duke nënvizuar stabilitetin dhe performacën e mirë të sektorit financiar. U nënvizuan nismat ligjore në sektorin financiar, si dhe u diskutua lidhur me aktivitetet për gjithëpërfshirjen financiare dhe qasjen në financa, duke përfshirë edukimin financiar.

Në hyrje të takimit, Guvernatori Ismaili e informoi Z. Dietz për organizimin, funksionimin dhe fushëveprimin e BQK-së, si një institucion i pavarur kushtetues, me kapacitete të duhura institucionale si dhe me një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat qendrore dhe autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Guvernatori e vlerësoi lartë bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Luksemburgut, partnere afatgjatë e të BQK-së, me theks në menaxhimin e rezervave ndërkombëtare dhe ngritjen e kapaciteteve sipas standardeve më të larta.

Në vijim të takimit, Guvernatori i BQK-së e informoi Ambasadorin Dietz për procesin para-aplikimit për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) te Komisioni Evropian, si dhe projektin për avancimin dhe modernizimin e sistemit të pagesave, si një projekte të rëndësishme në arritjen e objektivave dhe Planit të saj Strategjik të BQK-së. Në këtë kontekst, u shqyrtuan mundësitë për mbështetjen që mund të ofrojnë partnerët tanë në listimin e Kosovës në platformat ndërkombëtare të pagesave.

Tutje, Guvernatori Ismaili shprehu falënderimin e BQK-së për popullin dhe institucionet e Dukatës së Luksemburgut, të cilat mbështesin aktivitetet për avancimin e sistemit financiar të Republikës së Kosovës.

Në fund të takimit, palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në avancimin e proceseve të brendshme dhe nisma tjera në sektorin financiar brenda fushëveprimit institucional.

Guvernatori Ismaili takoi Ambasadorin e Çekisë Sh. T. Bohumil Mazánek – diskutohen zhvillimet dhe reformat në sektorin financiar Guvernatori Ismaili takoi Drejtorin e GIZ-it për Kosovë, z. David Oberhuber