CBK_Cipollone-1024x768

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim me z. Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), gjatë takimeve pranverore në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Washington D.C. Ky ishte takim përmbyllës i BQK-së me partnerët dhe palët ndërkombëtare.

Takimi ofroi një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi çështje të ndryshme të bashkëpunimit të ndërsjellë mes BQK-së dhe BQE-së. Guvernatori Ismaili informoi z. Cipollone për zhvillimet kryesore brenda BQK-së, duke përfshirë përparimet në përgatitjet për integrimin dhe pajtueshmërinë me SEPA, si dhe çështjet e tjera të rëndësishme me të cilat përballet banka qendrore.

Gjithashtu, takimi u fokusua në diskutimet mbi eksplorimin e mundësive për adoptimin e zgjidhjeve nga BQK për pagesat e shpejta me qëllimin të ndërlidhjes me TIPS, si dhe diskutime të vazhdueshme me vendet fqinje për gjetjen e zgjidhjeve optimale për rajonin.

Guvernatori Ismaili theksoi angazhimin e palëkundur të BQK-së për të avancuar dhe modernizuar sistemin e saj të pagesave, që do të hapte rrugën për integrimin në infrastrukturën e tregut financiar të Bashkimit Evropian, në përputhje me objektivat strategjike të BQK-së.

Këto angazhime pasqyruan përpjekjet e BQK-së për të nxitur partneritete të forta me palët ndërkombëtare kyçe, duke avancuar misionin e institucionit për të promovuar stabilitetin financiar dhe përfshirjen financiare, të cilat janë thelbësore për të nxitur zhvillimin ekonomik në vend.

Guvernatori Ismaili zhvillon dialog të frytshëm me zyrtarë të nivelit të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në takimet pranverore që po mbahen në Washington D.C. Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i drejtuar nga Guvernatori Ismaili përfundon me sukses takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së në Washington D.C.